13:51 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

Fitimi i Google-t bie ndjeshëm në 3-mujorin e tretë 2019

Kompania mëmë e Google, Alphabet, publikoi rezultatet financiare të tremujorit të fundit të hënën, duke treguar kostot të cilat po rriten me më shpejtësi sesa të ardhurat.

Kompania postoi fitim 1.7 miliardë dollarë më pak në tremujorin e tretë sesa kishin parashikuar analistët, ndërsa gjeneroi 175 milionë dollarë më shumë të ardhura.

Aksionet e kompanisë ranë me 1.6% për shkak të rënies së fitimit. Google ka shtuar shpenzimet në muajt e fundit sidomos në shërbimet cloud dhe pajisjet elektronike konsumatore, dy sektorë, të cilët i sheh esencialë për ruajtjen e lidershopit përballë konkurrencës së Amazon dhe Microsoft.

Bizneset e reja po shtyjnë Google drejt shitjes së abonimeve, pajisjeve dhe licencave të përdorimit të teknologjive. Shpenzimet u rritën me 25% krahasuar me një vit më parë në 31.1 miliardë dollarë.

Google gjeneron 85% të të ardhurave nga shitja e reklamave dhe teknologjisë së reklamimit dhe raportoi të ardhura prej 40.5 miliardë dollarë. Fitimi ishte 7.1 miliardë dollarë nga 8.8 miliardë dollarë që kishin parashikuar analistët.