13:50 / E Diele, 14 Mars 2021 / OSH

Fjalimi i parë i Abdixhikut si kryetar i ri: Po e hapim një faqe të re për të kthyer LDK-në vendin e saj

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës është zgjedhur Lumir Abdixhiku me gjithësej 191 vota.

Menjëherë pas konfirmimit të fitores ai ka thënë disa fjalë për media, shkruan IndeksOnline.

Abdixhiku është kryetari i katërt i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Më lejoni të falenderojë edhe dy kundër kandidatët e mi Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën. Vendosëm një standard të ri të garës jo vetëm për LDK por për të gjithë spektrin shqiptar dhe më gjërë. Sot po e hapim një faqe të re të rrugëtimit tonë politike me synime për ta kthyer LDK në vendin e saj”, tha ai.

“Përgjatë kohës LDK nuk arriti të mbajë e as të rrisë votuesit e saj, arsyen e vërtetë e gjen tek vetvetja, dhe nga vetvetja do të nisim rrugëtimin tonë të madh”, shtoi ai.

Tash e tutje Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, i cili më parë ishte deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së e më pas edhe Ministër i Infrastrukturës.

Në kandidim për të parin e LDK-së ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa, derisa Anton Quni hoqi dorë nga kandidimi pak orë para se të fillojë procesi i votimit./IndeksOnline/