18:43 / E Shtunë, 04 Gusht 2018 / indeksADMonline

Flamurtari e fiton me avokat çështjen ‘Edon Zhegrova’

Super-talenti i Përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova, është zhvilluar si futbollist në Kosovë te Flamurtari dhe Prishtina. 19-vjeçari falë talentit të tij, ra në sy të disa klubeve evropiane ndërkohë që në vitin 2015, u transferua te skuadra e Standard Lieges në Belgjikë.

Për të fituar sa më shumë përvojë, djaloshi nga Prishtina u huazua te Sint-Truidense derisa në vitin 2017 ra në ‘radarët’ e Genkut.Ai ka nisur shkëlqimin e tij te Genku derisa në këtë vit është bërë pjesë edhe e Përfaqësueses A të Kosovës ku në tri ndeshjet e para miqësore ka shënuar dy gola.Atij ia ka parë ‘hajrin’ edhe skuadra e Prishtinës pasi që me kalimin e tij te Genku, klubi kosovar fitoi 150 mijë euro.

Por, si fillim me asnjë cent nuk u shpërblye klubi i tij amë, Flamurtari.Për këtë arsye, klubi e ka angazhuar një avokat dhe çështjen e ka fituar.Kështu ka njoftuar për Insport, kryetari i klubit, Ymer Ademi. “Neve si klub na takojmë 20 mijë euro për transferin e Edon Zhegrovës. 10 mijë euro i kemi marrë që na kanë takuar nga menaxheri i lojtarit kurse 10 mijë të tjera duhet që të na jap Prishtina. Marrëveshja është që deri më 31 dhjetor, Prishtina të na paguajë 10 mijë euro. Flamurtarit i takojnë këto para pasi që ne jemi klubi i parë i Edonit”, ka thënë Ymer Ademi të shtunën për Insporti.

Ndryshe, Flamurtari njihet në Kosovë si çerdhe e talenteve.Nga ky klub kanë dalë shumë lojtarë që sot bëjnë emër edhe në Evropë.