16:34 / E Shtunë, 07 Korrik 2018 / indeksADMonline

Flasin hoxha dhe prifti që ndajnë oborrin e njëjtë për xhami e kishë

Imami Naser Kosumi dhe prifti ortodoks Trajko Vllajkoviq, edhe pse i shërbejnë feve të  ndryshme, janë vetëm disa metra larg njëri-tjetrit.

Ferizaj është një prej qyteteve të rralla në botë ku në të njëjtën hapësirë qëndrojnë së bashku xhamia dhe kisha ortodokse.

Pas shumë dekadave të ndarjes tashmë ky imam dhe prift janë bashkuar për të zgjidhur problemet që ata kanë.

 Një mur i ndërtuar para disa vitesh për të dy është një shqetësim i madh. Ata duan që ky mur të shembet dhe xhamia e kisha të jenë edhe më afër.

Imami Naser Kosumi tha se muri, i cili gjendet mes kishës dhe xhamisë, duhet të hiqet.

“Si ky monument pak në botë ka. Për shembull ka xhami dhe kishën në një oborr. Nuk e di kur është ndërtuar, a është periudhë e gjatë, a është ndërtuar xhamia qysh më herët por meqenëse është ndërtuar në një oborr, për mendim timin kisha thënë që të jenë dy simbole pa ndërprerje, pa mur ndarës. Kështu kishë me qenë më mirë për opinion që mos të ketë pengesa”, ka thënë Kosumi.

 Vllajkoviq, i cili ka ardhur të shërbejë si prift në këtë kishë para tri vitesh ka filluar të ketë komunikim ditor me imamin.

Ai tha se ka komunikim shumë të mirë me imamin e xhamisë.

“Këto dy vende të lutjes janë krenare me njëra tjetrën dhe nuk ka rivalitet se cila është ndërtuar më parë, cila është më e madhe, cila është më e mirë, cila është më e bukur. Kjo gjë nuk qëndron para zotit. Para Zotit qëndron vetëm a je i mirë apo i keq, në fakt pak i mirë sepse nuk ekziston i keqi. Ai mur të cilin jeni duke e parë nuk është ndërtuar as nga unë e as nga Naseri “, tha prifti Vllajkoviq.

 Hoxha dhe prifti thonë se kalojnë mirë me të gjithë banorët e Ferizajt dhe se nuk ka pasur ndonjë koment të keq në lidhje me shoqërimin e tyre.

Ndërsa Vllajkoviq theksoi se s’duhet të ekzistojë asnjë ndarje në mes kishës dhe xhamisë.