22:28 / E Diele, 04 Mars 2018 / indeksADMonline

Flasin shqip e kanë traditat tona, këto janë fshatrat në Greqi ku banorët nuk i kanë harruar rrënjët

Shqiptarët që jetojnë me shumicë në territoret greke vazhdojnë të ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre ndonëse pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912-1913, u realizua marrëveshja që ata të konsideroheshin pjesë e shtetit fqinj.

Ndonëse në këto vite Shqipëria u përça mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë duke lënë jashtë territorit më shumë se gjysmën e popullsisë së saj, shumica prej tyre nuk kanë harruar ende gjuhën, ndonëse ka kaluar më shumë se një shekull.

Gazetari Marin Mema i cili është shpallur person “non grata” në vendin fqinj ka sjellë dokumentarin ku ka intervistuar dhe faktuar se si shqiptarët në Greqi kanë ruajtur traditat, gjuhën dhe muzikën e tyre duke e trashëguar atë brez pas brezi.

Që prej viteve më të hershme Kosturi dhe Follorina ishin dy qendra që i ruanin gjurmët shqiptare dhe ka të dhëna të shumta që asin për një prezencë të fortë e të pakundërshtueshme shqiptarësh.

Kosturi ka qenë një qendër e rëndësishme për bejlerët shqiptarë në shekullin 19, dhe gjurmët janë ende tek ndërtesat dhe monumentet në këtë qytet. Janë të shumtë autorët që kanë shkruar për shqiptarët në Follorinë, si diplomati Victor Bérard apo edhe media të shumta.

Një prej fshatrave me shqiptarë të shumtë është edhe Lekovo, i cili ndodhet jo më shumë se 1 orë e 20 minuta larg Bilishtit. Ai ka një popullsi të konsiderueshme, dhe asnjëherë nuk është braktisur nga shqiptarët.

Një nga banorët thotë në shqip:

“Zbulimet arkeologjike janë 500 vjettë vjetra e mundet më tepër, tani votojnë 1800 vetë, ndërsa tani në dimër rrinë në fshat rreth 1200, njerëzit ikin në vende më të ngrohta. Në shqip i dimë akoma ca këngë. Puna e shqiptarëve ishte ndërtimi, ata ishin ustallarë të mirë dhe ndërtonin, pastaj disa u bënë shoferë etj, se këtu nuk kemi fusha dhe është vetëm me zanat”.

Në këtë vend jetojnë ende shqiptarët autoktonë, dhe sipas një tjetër banori më parë ishin rreth 2000 vetë por tani kanë ikur. Lekovo ka pasur profesion kryesor mjeshtra të gurit.

Në këtë vend nuk ka shkolla shqipe por gjuha nuk ka humbur, sepse këta banorë kanë mundur ta pasojnë tek njëri tjetri brez pas brezi, por kjo vetëm brenda murit të shtëpive sepse jashtë kanë pasur frikë.

Gazetari Mema thotë: Sot gjuha e tyre mund të duket e vështirë për t’u kuptuar, por në fakt tingëllon kaq ëmbël kur dëgjon historinë dhe trashëgiminë në këto fshatra. Ajo është një toskërishte arkaike që ka qëndruar e mbyllur njësoj si në një epruvetë, ashtu si e kanë folur paraardhësit e tyre dikur natyrshëm dhe pa u ndrojtur.”

Banorët e Lekovos, më së shumti të moshuarit nuk e kanë problem të tregojnë afërsinë dhe lidhjen me shqiptarët e tjerë.

Një banore thotë:

“Ka shumë nga Korça që rrinë këtu, madje janë martuar çupa dhe djem, kanë dhe foshnja e rrinë këtu. Ka shumë këtu, po këndojnë shqip. Që kur u dogj fshati shumica e të rinjve kanë ikur”.

Deri në fillim të viteve ’20, Lekovo kishte përkrah mjaft qendra të tjera që banoheshin nga shqiptarët. vetëm fshatrat e Follorinës ishin mbi 19 dhe kishin në shumicë një popullsi të tillë myslimanë dhe ortodoksë, e njëjta gjë edhe me 25 fshatra të Kosturit ku shqiptarët banonin.

Shumë shqiptarë pavarësisht së Konferencës së Ambasadorëve në Londër nuk pranuan t’i braktisnin këto fshatra me shpresën se diçka do ndryshonte për ta. Pas kësaj konference u ra dakord për një shkëmbim të popullsisë, dhe shqiptarët u dëbuan nga shtëpitë e tyre në territoret shqiptare. Shumë shqiptarë që ishin myslimanë u quajtën turq dhe u degdisën në Anadoll.

Edhe sot numri i shqiptarëve është shumë i madh por për shkak të presionit të gjatë ata druhen të deklarohen si të tillë.

Banorët e sotëm kanë harruar historinë por jo gjuhën dhe zakonet e tyre.

Një prej banorëve thotë:

“Historinë e dinte mirë një krushku im, por unë nuk e di. Këtu janë të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shqip këndojnë, tani të rinjtë nuk këndojnë. Disa dinë më shumë disa më pak. Pjesa më e madhe e tyre punonin si mjeshtra për të ndërtuar shtëpi. Unë kisha një club pro e mbylla, tani ka bare që mbajnë dhe raki por tani s’ka më lekë.”

Një i moshuar pohon i entuziazmuar se nuk është grek e duket se për pak sekonda ata duan të shprehin atë që e kanë mbajtur të fshehur kushedi sa gjatë.

Një numër i madh i tyre komunikojnë dhe asin shqip, dhe kaq mjafton për të treguar se ata janë në shumicë.

Gazetari i cili është shpallur i padëshirueshëm për vendin fqinj e mbyll dokumentarin kështu:

“Pse duhet të jetë kaq e vështirë të jesh shqiptar? Pse duhet mbuluar e shkuara, jo vetëm e këtij fshati por edhe e shumë të tjerëve.

A mund të fshihet gjithçka me dhunë e aspak radikale. Shqiptarët të rinj e të vjetër në Greqi, kudo që ndodhen duhet të gëzojnë të drejtat e tyre, mundësitë për të njohur plotësisht të shkuarën dhe rrënjët e saj. Historia nuk mund të bëhet me detyrim sepse sado që ajo të burgoset gjithmonë do të gjejë një mundësi për të dalë në sipërfaqe.”