23:24 / E Mërkurë, 03 Janar 2018 / indeksADMonline

Flet gazetari, thotë se u kërcënua nga drejtori i Urbanizmit të Gjilanit

Drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu, është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë në Polici.

Policia ka dhënë sot arsyet e arrestimit të drejtorit të Urbanizmit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për KALLXO.com se Shefkiu është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur gazetarin Musa Sabedini.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që dyshohet se ka kanosur viktimën – gazetar i portalit “Rajoni Press”. Dyshohet se motivi i kanosjes te jetë një artikull i publikuar ne këtë portal ku është përmendur emri i të dyshuarit”, tha Hashani.

Sipas Hashanit, rasti është duke u hetuar ende.

KALLXO.com kontaktoi edhe me gazetarin Musa Sabedini.

Ai thotë të jetë kërcënuar përmes telefonit nga drejtori i Urbanizmit.

“Po dje rreth orës 14:57 përmes telefonit mora një kërcënim nga Valon Shefkiu udhëheqës i Inspeksionit Komunal në Gjilan. Të hënën kam bërë një lajm në RajoniPress rreth një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila kishte kthyer lëndën e tij (Valon Shefkiut) në rigjykim”, tha Sabedini.

Ai shpjegon tutje se çfarë lloj kërcënimesh kishte marrë.

“Valon Shefkiu ishte revoltuar dhe më tha se shumë po merresh me emrin tim. Më tha se prej sotit kjo çështje kalon në personale dhe kam me ia q… nënën dikujt. E luta mos të ofendojë e as kërcënojë por ai vazhdoi tutje. E mbylla telefonin”, shpjegon Musa Sabedini.

Sipas tij, ky nuk është kërcënimi i parë, pasi që ka marrë kërcënime të shumta që nga paslufta.

“I kam pasur 18 kërcënime me vrasje, zhdukje nga faqja e dheut, disa prej rasteve i kam fituar në gjykatë. Kërcënimet kanë ardhur nga fusha të ndryshme por kryesisht persona dhe zyrtarë publikë. Vitin e kaluar jam kërcënuar nga një biznesmen”, tha ai.

Rastin e tij, Sabedini e ka lajmëruar edhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Ai kërkon nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që të marrë masa ndaj zyrtarëve të komunës që ai udhëheq.

Ndërsa, lidhur me këtë rast, Komuna e Gjilanit ka lëshuar sot pasdite një komunikatë, në të cilën shpreh keqardhje për “gjuhën e pamatur” të drejtorit të Urbanizmit në raport me gazetarin.

“Në parim, Komuna e Gjilanit është kundër çdo lloj kërcënimi apo tendence për kërcënim ndaj çdokujt”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com kontaktoi edhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, i cili tha se janë duke pritur kallëzimin penal në lidhje me rastin.

“Ne po presim që të vijë kallëzimi penal. Me të pranuar kallëzimin penal prokurori i rastit do ta shqyrtojë dhe do ta analizojë të njëjtin. Pas analizimit do të vendoset për masë paraburgimi ose çfarëdo mase tjetër në lidhje me rastin”, tha Maloku.