75 Mall Live Search
10:05 / E Diele, 15 Mars 2020 / indeksADMonline

Flet gruaja e Artetas, tregon gjendjen e tij pas infektimit me koronavirus

Pak ditë më parë klubi i Arsenali dha lajmin se trajneri Mikel Arteta kishte rezultuar pozitiv në testet e kryera për koronavirus. Tekniku spanjoll u vetë-izolua dhe ka qenë në shtëpi nën kontrollin e mjekëve.

Arteta, ka postuar që në ditën e parë në rrjetet sociale se ishte mirë dhe një siguri më shumë e ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, Lorena, e cila me një postim në Instagram ka treguar se në rrethana të ndryshme, në gjendjen që ishte sot ai do të shkonte rregullisht në punë.

“Në rrethanat që jemi aktualisht, ndjej përgjegjësinë që të ndaj me të tjerët situatën tonë. Fillimisht dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dërguar urime, mbështetje me mesazhe, me e-maile apo telefonata. Ishte mbresëlënëse.

Unë e kuptoj që të gjithë dëshironi të dini se çfarë po ndodh. Burri im ndjehet mirë, është mirë. Është e vërtetë se ai kishte simptoma të virusit, por simptomat nuk do ta kishin ndalur ndonjëherë për të shkuar në punë në rrethana normale.

Image

Ai do të kishte marrë një ilaç dhe do të kishte shkuar në punë, ndaj nuk është se është ndonjë gjë e madhe ajo që po kalon. Kishte temperaturë, dhimbje kokë dhe kaq. Kjo është eksperienca e tij, unë dhe fëmijët jemi të gjithë në rregull.

Me sa duket virusi nuk është vdekjeprurës. Mund të jetë për një grup të caktuar njerëzish, por pjesa më e madhe do ta kalojnë me simptoma të lehta. Ndoshta disa njerëz do të kenë më shumë simptoma se disa të tjerë, por nuk do të jetë edhe aq e keqe sa mendohej”, ishte mesazhi i saj duke u bazuar edhe te këshillat që i kishin dhënë mjekët.