19:27 / E Martë, 01 Nëntor 2022 / shkelqim osmanaj

Flitet për dorëheqje, flet agjenti i Klopp: Ai nuk e rinovoi kontratën për asgjë

Liverpooli i këtij sezoni po vazhdon me paraqitje dhe rezultate të dobëta në Premier Ligë, ku së fundmi u mposht në “Anfield Road” nga skuadra e Leeds United.

Rezultatet jo të favorshme kanë bërë që spekulimet të rriten vazhdimisht për një dorëheqje të mundshme ose një shkarkim të trajnerit gjerman.

Por, në një intervistë për “SkyDE”, agjenti i Klopp, Kosicke ka folur sa i përket të ardhmes së Klopp te Liverpooli, dhe fjalët e tij nuk do t’i brengosin tifozët e “Të Kuqve”.

“Mund të ju sigurojë që Jurgen Klopp nuk ka asnjë qëllim për të dhënë dorëheqje. Jurgenit po i pëlqen përkrahja e krerëve, ata janë vazhdimisht në kontakt. Ai e dashuron Liverpoolin, ai nuk nënshkroi kontratën deri në vitin 2026 për asgjë”, tha Kosicke.

Që prej marrjes së detyrës së trajnerit te Liverpoolit, Jurgen Klopp ka arritur të bëjë mrekulli me gjigantin anglez, duke fituar Ligën e Kampionëve, Premier Ligë, FA Cup, Carabao Cup, Kupën e Botës për klube si dhe Superkupën e Evropës.

Së fundmi, Klopp rinovoi kontratën e tij me Liverpoolin edhe për dy vite, gjë që nënkupton se trajneri gjerman do të jetë në krye të gjigantit anglez deri në vitin 2026, pasi që kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2024.