18:28 / E Hënë, 02 Tetor 2017 / indeksADMonline

FMN “shuplakë” Ramës

Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti parashikimin për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2017, por ka paralajmëruar qeverinë për rreziqe të shtuara për financat e shtetit.

“Rritja ekonomike për këtë vit parashikohet 3.9% nga 3.7% që vlerësohej më parë, e mbështetur nga zgjerimi i shpejtë i turizmit dhe ndërtimit duke amortizuar pasojat negative të thatësirës në sektorin energjetik”, thotë FMN.

Por ndonëse ka dakortësi mbi vlerësimet për ecurinë e ekonomisë, Fondi ka pasur debate të ndezura me qeverinë për rreziqet e financave publike. Çështja më e nxehtë është ajo e koncesioneve. FMN i ka kërkuar qeverisë të regjistrojë si borxh detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian.

“Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”, vëren FMN.

Fondi nuk është kundër koncesioneve, por ka shprehur shqetësim për mënyrën sesi jepen kontratat koncesionare.

Dy vitet e shkuara me këmbënguljen e saj, qeveria forcoi kuadrin ligjor për koncesionet, duke përcaktuar qartë hapat sesi përzgjidhen dhe vlerësohen projektet. Por, sipas Fondit, ky kuadër nuk po zbatohet plotësisht duke rritur rreziqet për financat e shtetit.

Sipas FMN kjo rrezikon të krijojë detyrime për buxhetin e shtetit në të ardhmen dhe përveçse do të ngushtojë hapësirën për investimet publike mund të vendosë në rrezik uljen e borxhit. Sipas vlerësimeve të FMN, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual.
Por qeveria thotë se buxheti është i mbrojtur pasi, pagesat që ajo bën për koncesionet në një vit janë të kufizuara me ligj jo më shumë se 5% e të ardhurave.

Struktura e re e qeverisë, FMN: Riorganizim i paqartë

Koncesionet nuk janë shqetësimi i vetëm i FMN. Një tjetër çështje ku ekspertët e Fondit kanë rezerva është riorganizimi i qeverisë dhe institucioneve publike.
Sipas FMN, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve ende nuk ka një plan të qartë sesi do të formatohet sektori dhe administrata publike.
FMN druhet se kjo paqartësi por edhe riorganizimi në vetvete mund të dobësojnë punën e institucioneve. Rasti ku Fondi ka rezervat më të mëdha është bashkimi i tatimeve me doganat.

Misioni i FMN është shprehur kundër këtij ndryshimi, pasi druhet se kjo mund të cenojë mbledhjen e të ardhurave në buxhet, çka mund të krijonte të tjera vështirësi për financat publike./tch/