14:02 / E Premte, 19 Shkurt 2021 / OSH

FMN vlerëson masat e marra nga BQK-ja për tejkalimin e krizës nga pandemia

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, sektori bankar ka arritur të përballonte mirë situatën e krijuar, si rezultat i masave të marra për përballimin e pandemisë.

Bankat e kanë përballuar mirë recesionin deri tani, duke u mbështetur në nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit të para pandemisë Covid-19, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit
financiar.

FMN-ja gjithashtu, ka njohur edhe masat e marra nga BQK-ja për ristrukturimin e kredive, ndërsa në dhjetor të vitit 2020, të gjitha bankave iu kërkua të zbatonin kërkesat rregullatore që kanë qenë në fuqi para pandemisë Covid-19. Të dhënat paraprake sinjalizojnë një portofol të shëndetshëm të kredive, me mundësi për një rritje të lehtë të kredive joperformuese në muajt në vijim.

Në fund të vitit 2020 asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej më shumë se 12 për qind. Niveli i kredive joperformuese ishte 2.63 për qind, raporti i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione ishte 143.27 për qind, përderisa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.7 për qind,
thuhet në raport.

Reformat e zbatuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vitet e kaluara, të cilat u fokusuan në forcimin e sigurisë financiare dhe kornizës mbikëqyrëse bankare, ndihmuan në zbutjen e presioneve nga pandemia.


Shumë nga reformat e zbatuara, janë disenjuar me mbështetjen e FMN-së dhe BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë forcimin e kapaciteteve dhe sistemeve të saj, përfshirë edhe zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Rishikimit të stabilitetit të sistemit financiar.


Së këndejmi, drejtorët ekzekutivë të FMN-së rekomanduan autoritetet që të monitorojnë nga afër cilësinë e aseteve bankare, të sigurojnë transparencë në pasqyrimin e humbjeve pasi të hiqet toleranca rregullatore dhe të forcojnë më tej kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.