75 Mall Live Search
14:47 / E Martë, 21 Prill 2026 / OSH

Forcat speciale amerikane bastisin një anije, ishte pa flamur (Pamje)

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi se forcat e tij kryen një bastisje gjatë natës dhe sekuestrimin e anijes M/T Tiffany në rajonin Indo-Paqësor, dhe sipas një deklarate zyrtare, gjithçka shkoi pa incidente.

Ky veprim e bën të qartë se Uashingtoni po e shtrëngon kontrollin mbi korridoret detare, duke synuar anijet që, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, shërbejnë si mbështetje kyçe logjistike për Iranin.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e përshkruan M/T Tifani si një “anije pa shtetësi”, që në ligjin detar do të thotë se ajo nuk mban flamurin e asnjë vendi të njohur ose regjistrimi i saj është i pavlefshëm.

Pikërisht anije të tilla përdoren shpesh nga Irani dhe bashkëpunëtorët e tij në “flotën në hije” për të shmangur radarin e rregullatorëve ndërkombëtarë dhe për të transportuar naftë ose pajisje ushtarake pa pengesa.

Forcat amerikane, pretendon Pentagoni, përdorën “të drejtën e vizitës”, e cila është një doktrinë ligjore ndërkombëtare që u lejon anijeve luftarake të ndalojnë dhe inspektojnë një anije në det të hapur nëse ekziston dyshim i arsyeshëm se ajo nuk ka përkatësi të qartë kombëtare ose është e angazhuar në aktivitete të paligjshme./Indeksonline/