13:20 / E Enjte, 30 Gusht 2018 / indeksADMonline

Franca ktheu mbrapsht në Itali 1400 emigrantë shqiptarë

Prej vitit 2017 e deri më sot mbi 1400 emigrantë shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi në Itali nuk janë pranuar të kalojnë në territorin francez. Ata janë kthyer pas nga autoritetet franceze në kufirin me Italinë.

Këtë lajm e bën të ditur Ministria e Brendshme Italiane e cila ka publikuar të dhënat prej vitit 2017 e deri më sot mbi krizën e emigracionit në kufirin italo-francez.

Publikimi i këtyre të dhënave është bërë pas një debati çdo ditë e më i ashpër mes zëvendës kryeministrit e ministrit të brendshëm italian Matteo Salvini e presidentit francez Manuel Macron.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane “prej fillimit të vitit 2017 e deri më sot në kufirin me Italinë, Franca ka kthyer pas rreth 48 mijë emigrantë, mes të cilëve mjaft gra e fëmijë.

Në vitin 2017 Franca ka kthyer në kufirin me Italinë 30.911 emigrantë.

10 507 prej tyre ishin emigrantë me leje të rregullt qëndrimi në Itali e mes tyre 832 ishin emigrantë shqiptarë. 1465 emigrantë pakistanezë, 1108 nga Mali e 840 nigerianë.

Ndërsa nga fillimi i vitit 2018 e deri më sot Franca ka kthyer në kufirin me Italinë 17 476 emigrantë.

6561 prej të cilëve me dokumenta të rregullta qëndrimi në Itali, mes tyre 613 janë shqiptarë,  933 pakistanezë e 651 nga Mali.

Publikimi i këtyre të dhënave u bë pas deklaratës së pak orëve më parë të Presidentit francez Macron i cili pas takimit të ministrit të brendshëm italian Matteo Salvini me Kryeministrin hungarez Victor Orban u shpreh se nuk i beson aspak nacionalistëve e as atyre që predikojnë urrejtje.

“Kanë arsye të më shohin si kundërshtarin e tyre kryesor politik në Europë”, tha Macron.

Përgjigja e zëvendëzkryeministrit italian Salvini ka qënë e menjëhershme. Duke iu bazuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italiane Salvini u shpreh: “Në vend që të japë leksione të tjerëve, ftoj presidentin hipokrit francez, të hapë kufijtë e të pranojë mijëra emigrantë që kishte premtuar se do ti merrte. Italia nuk është më kampi i refugjatëve të Europës”./Ora News.tv/