15:11 / E Martë, 03 Maj 2022 / AR

FSHF-ja me dënime të ashpra për ekipet që kurdisën rezultatet

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka marrë të martën vendime të ashpra për skuadrat e kategorisë së dytë për kurdisjen e rezultateve.

Në sajtin zyrtar të FSHF-së, thuhet se ky vendim ka ardhur pas hetimit që është nisur më 27 prill në lidhje me “dyshimet e arsyeshme për paracaktim rezultati në ndeshjet FC Bulqiza – KSSH Veleçiku, Oriku – KF Gramshi dhe FC Internacional Tirana – Luzi 2008”.

“Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka vendosur ditën e sotme përjashtimin për pesë sezone të tre klubeve të Kategorisë së Dytë, konkretisht Bulqiza, Gramshi dhe FC Internacional Tirana dhe dënimin me dy vite të zyrtarit të ndeshjes Bulqiza-Veleçiku, Memet Koçi, për dështim në raportimin e shkeljeve të Kodit të Etikës”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

“Pas marrjes së informacionit të nevojshëm dhe pyetjen e aktorëve të përfshirë në këto ndeshje, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës gjeti se kishte elementë të paracaktimit të rezultateve sportive, gjë e cila është në kundërshtim me parimet e fair-playt dhe integritetit të garës. FSHF i qëndron vullnetit të saj për tolerancë zero ndaj fenomenit të paracaktimi të rezultateve të ndeshjeve. Rezultatet sportive në të gjitha garat kombëtare do të duhet të jenë produkt i paraqitjes në fushë, i faktorëve sportivë dhe në mënyrë kategorike nuk do të duhet të ndodhë dhe nuk do të lejohet ndikimi i faktorëve të jashtëm mbi një ndeshje futbolli”.

Nëpërmjet këtij vendimi, FSHF-ja ka thënë se dëshiron t’i bëjë me dije opinionit publik dhe tifozëve se do ta vazhdojë monitorimin për ndërlidhje të mundshme të këtyre rezultateve edhe me individë apo klube tjera.

Po ashtu, FSHF-ja i ka bërë thirrje organeve kompetente për t’i hetuar këto episode, që sipas saj po e njollosin imazhin e futbollit shqiptar.