13:44 / E Martë, 15 Gusht 2023 / LB

Fusha antimagnetike – metafizikisht ndryshon shpjegimin shkencor të gjenezës dhe të ekzistencës së universit

Dr. Hajdin Abazi

Pasi ka zbërthyer Mikrobotën, duke depërtuar si askush tjetër me një dioptri në thellësi shpjegimi, ku ka hedhur dritë mbi zanafillën e atomeve dhe ekzistencës së tyre, tash, në këtë vepër, Naim Krasniqi i kthehet makrobotës. Edhe këtu është fascionuese metafizika e tij shkencore. Naim Krasniqi shpalos një pikëpamje krejtësisht të re mbi forcën kryesore që e mban ekuilibrin e universit. E kjo është fusha antimagnetike, e vetmja forcë me karakter shtytës. Pa fushën antimagnetike, nuk do të ekzistonte universi, po do të mbetej një sferë e pa strukturë por e mbërthyer nga forcat tërheqëse. Universi ashtu sikurse ekziston, ku mundësohet edhe jeta, mbahet, pra, vetëm falë kësaj forcë shtytëse.

Ky shpjegim e bën autorin krejt origjinal.

Kaq origjinal është edhe shtjellimi teorik dhe eksperimental i prezantuar në këtë libër. Edhe kjo vepër është si rezultat i një periudhe të gjatë pune, shqyrtimi teorik dhe eksperimentimi të Naim Krasniqit. Një pjesë e zbulimeve të tij janë publikuar në gazetën “Epoka e re” në serinë e shkrimeve në vitin 2019 dhe 2020. Ky libër udhëhiqet nga qëllimi për të etabluar ato me eksperimente të reja por edhe me shtjellime teorike, në kuptimin e thellimit, saktësimit dhe shpjegimeve më të plota.

Përderisa eksperimentalisht rivërtetohen demonstrimet e vitit 2019 të Naim Krasniqit, po ashtu bëhen edhe testime të reja dhe teorikisht bëhet zbërthimi i shkaqeve. Kështu tregohet rruga se si krijohen dipolet elektrike, dhe se ato kanë nivele të ndryshme energjetike. Më tej, shpjegohet se si krijohet në trupat qiellorë fusha elektromagnetike nga dipolet elektrike. Depërtohet deri te struktura e brendshme e gjeneratorit të natyrës së fushës elektromagnetike, duke shpjeguar se mbështjellësit elektromagnetikë rreth bërthamës së tornados elektrostatike janë dy llojesh: mbështjellësi i brendshëm që kryen funksionin e rotorit dhe mbështjellësi i jashtëm që kryen funksionin e statorit, fërkimi i të cilave prodhon dipole elektrike (terciare).

Nga to krijohen dipole elektrike sekondare të të dyja llojeve, të cilat sapo të bien në kontakt me njëra-tjetrën krijohen dipolet magnetike. Parashtrohet edhe struktura e brendshme e dipoleve magnetike, që janë bartëse të fushës magnetike. Bëhet edhe një parashtrim teorik, si vazhdimësi e studimeve të mëhershme të Naim Krasniqit, të fushës magnetike simetrike.

No description available.

Shpjegohet edhe se si krijohen elementet feromagnetike rreth bërthamës ciklo-elektrostatike, si dhe se si në mënyrë të natyrshme forcat tërheqëse magnetike i bartin ato sipër poleve magnetike (S) dhe (N) në trupat qiellorë. Pikërisht ky proces, domethënë bartja e elementeve feromagnetike sipër poleve të magnetit shkakton krijimin e fushës antimagnetike. Dhe përçues të kësaj fushe janë dipolet përkatëse, pra dipolet antimagnetike, të cilat, në të vërtetë, janë dipole magnetike që shoku elektromagnetik i ka konvertuar në dipole antimagnetike. Këto, për nga natyra janë dy llojesh, dhe pikërisht këto paraqesin bazën për shpjegime edhe më befasuese në të ardhmen.

Po ashtu, parashtrohen edhe fenomene të reja, që nuk janë prezantuar më parë. E këtillë, fjala vjen, është çarja e fushës magnetike, çarje të cilën e bën fusha antimagnetike, por edhe krijimi i membranës antimagnetike. Membrana antimagnetike, edhe pse elastike por rezistente, është mbrojtja natyrore që ju bëhet trupave qiellorë nga ndikimet e jashtme. Sigurisht, kjo mbrojtje nuk është absolute, por me tërë kapacitetin e vet që ka membrana antimagnetike dhe aq sa mund të rezistojë tenton të mbrojë trupin qiellor.

Kështu, edhe ky shtjellim teorik dhe prezantim i gjetjeve eksperimentale përforcojnë ato që i ka shkruar më herët Naim Krasniqi.