08:47 / E Premte, 18 Janar 2019 / indeksADMonline

Futbollisti i Besës kërkon borxhin nga klubi, zyrtarët nuk i hapin as telefonin

Nuk kanë të përfunduar problemet që po ballafaqohen futbollistët nëpër klubet e ndryshme të Kosovës.

Problemet janë të ndryshme, por shqetësimi më i madh është se iu vonohet paga apo ngjan edhe nuk i jepet fare, duke lënë në pozitë të palakmueshëm. Mesfushori Bashkim Shala shpreh shqetësimet e tija që ka me klubin e Besës nga Peja.

Futbollisti tha se ka kërkuar edhe nga organet përkatëse të Federatës së Futbollit të Kosovës, që t’i shkëputet kontrata me klubin e Besës po ashtu edhe t’i shlyhet borxhi!

Ai është në presion, por shpreson se do të ketë zgjidhje gjatë këtyre ditëve dhe pastaj të vendos për të ardhmen e tij. Shala nuk kërkon asgjë më shumë, kërkon pagat që ia kanë borxh, t’i paguhet djersa e tij.

“Në ditën e pardjeshme kam bërë ankesë për shkëputjen e kontratës në organet e FFK-së me klubin e Besës për shkak të mos përmbajtjes së marrëveshjes që kemi pas. Domethënë mi ka dy paga e gjysmë borxh, kështu që e kam pa te arsyeshme mu ankua sepse me zyrtarët e klubit është shumë vështirë ose e pamundur mu takua e me bisedua rreth këtyre problemeve”, ka thënë Shala për “Bota Sot”.

Por, pse nuk i përgjigjen në telefon. “Arsyet nuk i dimë, unë i kam marr në telefon disa herë, por në shumë raste nuk e hapin, kur e hapin telefonin, dëshiroj me diskutu me ta, me bë një zgjidhje rreth borxhit ‘ata’ vetëm me thonë këto ditë kryhen borxhet, në fakt vetëm fjalë”, shton tutje ai.

Shala flet edhe për të ardhmen. “Sipas FFK-së do të jam lojtar i lirë, pasi ta shqyrtojmë ankesën. Jam i hapur për oferta. Oferta jo, se kam qenë nën kontratë, tash e pas besoj që do të jam i hapur për oferta”, theksoi ndër të tjera ai.