10:19 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

Futbollisti i dënuar luan me gjurmues elektrik në këmbë (Video)

Kampionati skocez sapo ka nisur dhe që tani fillon të dhurojë emocione. Personazhi i javës së parë ishte pa asnjë dyshim Paul McGowan, 31-vjeçari i Dundee FC, që ka hyrë në fushë kundër St Mirren duke mbajtur veshur në këmbë një aparaturë elektronike tërësisht speciale. Arsyeja? Mesfushori është dënuar me punë të detyrueshme sociale dhe duhet të mbajë veshur gjurmuesin elektronik për dy muaj pasi ka pështyrë një truprojë të një lokali në Dundee. Nga ora 19:00 deri në 7 të mëngjesit ai nuk mund të dalë nga shtëpia.

Futbollisti ka pranuar fajin për pështyrje të truprojës në kushte të dehjes, me rastin e festës së klubit. Madje McGowan rrezikoi të përfundojë në burg, duke marrë në konsideratë precedentët e shumtë, 5 dënime penale që nga viti 2010.

Gjithsesi, gjykatësi e ka dënuar me dy muaj punë të detyrueshme dhe me detyrimin për të mbajtur një gjurmues elektronik. Për shkak të dënimit për të mos dalë nga shtëpia në orarin 19:00-07:00, futbollisti nuk do të mund të aktivizohet në ndeshjet e mbrëmjes.