13:15 / E Martë, 27 Prill 2021 / Blerim

Futbollisti i parë kosovar që luajti me Zvicrën/ Milaim Rama: Kosovës i duhet një trajner shqiptar!

Milaim Rama, ish-futbollisti i njohur kosovar që luajti për dy skuadra të Zvicrës flet për Kombëtaren e Kosovës, Bernard Challandesin, Shkollën e Futbollit dhe për Superligën.

Rama ishte lojtari i parë shqiptar që luajti për Kombëtaren e Zvicrës. Në një intervistë për IndeksOnline ai u shpreh krenar që ishte shqiptari i parë që përfaqësoi ‘Helvetikët’.

“Po është e vërtetë që kam qenë i pari shqiptar që kam veshur fanellën e ‘Helvetikëve’ dhe jam shumë krenar me veten dhe me tërë kombin shqiptar që më kanë përkrahur.”, ka thënë Milaim Rama.

Challandes u desh të shkarkohej qëmoti

Ish-futbollisti i FC Thun foli për situatën e Kombëtares së Kosovës. Ai kaloi një vit së bashku me Bernard Challandes (trajnerin e Dardanëve) te ekipi i FC Thun.

Por mendon se tekniku zviceran është dashur të shkarkohet menjëherë pas humbjes nga Maqedonia Veriore.

“Unë kam pas rastin të punoj një vit me trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes në FC Thun. Në vitin e parë kemi pasur rezultate jashtëzakonisht të mira dhe kishim arrit të hyjmë në fazën grupore të Euro Ligës. Challandes ka bërë një punë të shkëlqyeshme në Kombëtaren e Kosovës, sidomos në Ligën e Kombeve ku ‘Dardanët’ na bënin të gjithëve krenarë. Mendimi im personal është se nga humbja kundër Maqedonisë Veriore me Challandesin është dashur të ndërpritet bashkëpunimi. Por në fund Federata e Futbollit e Kosovës e kishte fjalën dhe ata vendosën që të vazhdojnë me Challandesin. Tani nuk na mbetët tjetër përveç t’i urojmë që Kombëtarja e Kosovës t’i kthehet rezultateve pozitive”, vazhdoi tutje për IndeksOnline legjenda e futbollit kosovar.

Ish-futbollisti nga Komuna e Vitisë ka komentuar edhe deklaratën e Valon Behramit, ky i fundit kishte thënë se Challandes është trajner i dobët taktikisht.

“Sa për deklaratën e Valon Behramit që Challandes nuk është i mirë në taktikisht dua të them që ky është mendim i tij dhe ndoshta ja ka qellu ose jo”, tha 45-vjeçari.

Bernard Challandes do të vazhdoj me Kosovën deri në fund të këtij viti. Dhe siç duket pas eliminatorëve për Kampionatin Botëror ‘Katari 2022’, tekniku zviceran nuk do të jetë më në stolin ‘Dardan’.

Kush duhet të jetë trajner i Kosovës, sipas Ramës

Rama propozon që trajneri i ardhshëm i Kosovës të jetë shqiptar. Ai madje përmend tre emra të ish-futbollistëve që mund ta marrin stolin e Kosovës, me Ardian Koznikun dhe Besnik Hasin.

“Ne kemi emra të njohur të trajnerëve, doja t’i cek emrat, si: Besnik Hasin, Ardian Koznikun e Kujtim Shala.  Nuk do të thotë që veç trajnerët e huaj janë të mirë. Unë uroj që trajneri i ri që do vijë ta njoh pak ma shumë mentalitetin tonë shqiptar dhe të vijë me ideja të reja sepse Kombëtarja e Kosovës ka kualitet të lartë të futbollistëve”, ka thënë ish-lojtari i FC Thun.

Rama gjatë kësaj interviste ka folur edhe për Superligën e Kosovës. Ai vazhdon ta përcjellë dhe ka një simpati për klubin nga Anamorava, FC Drita. Madje, ai mendon se ‘Intelektualët’ do të shpallen kampion të Superligës për sezonin 2020/21.

“Po jam duke e përcjellë futbollin kosovar për shkak se jemi duke i vëzhguar disa futbollistë të rinj dhe mendoj që në një kohë, ndonjëri ta ketë fatin dhe të kaloj në ndonjë ligë evropiane. Sa për pyetjen se cila skuadër do të shpallet kampion, unë mendoj se klubi i Dritës”, vazhdoi tutje ish-lojtari i Kombëtares së Zvicrës.

Planet për të hapur Akademi të futbollit në Kosovë

Ish-sulmuesi i njohur tani ka hapur Shkollë të Futbollit në Zvicër. Ai thotë se ka lojtarë që luajnë në klube të njohura zvicerane në shkollën e tij. Rama shpreson që një ditë ta zgjeroj Akademinë e tij të futbollit edhe në Kosovë.

“Po kemi hapur Shkollën e Futbollit dhe deri tash jemi të kënaqur me punën dhe angazhimin ton profesional dhe shpresoj e uroj që këta djem e vajza që po marrin pjesë në Akademinë tonë një ditë ndonjërin ta shohim në Ligat profesioniste Evropiane. Unë dhe stafi im profesionist po mundohemi që eksperiencën time që kam pasë gjatë karrierës time të bujshme të ju japim këtyre talentëve që janë në Akademinë tonë Futbollistike. Në Akademinë tonë kemi futbollistë nga FC Zürich dhe Grashpors Zürich si dhe nga klubet tjera në Kantonin e Zürichut dhe të Aargaues që janë shumë të kënaqur me punën tonë profesionale. Unë me stafin jemi duke bërë plan që Akademinë tonë të futbollit ta zgjerojmë edhe në Kosovë. Shpresojmë që këtë ta bëjmë shumë shpejtë”, përfundoi ish-futbollisti kosovar.

45-vjeçari e nisi karrierën në skuadrën kosovare Besëlidhja Prishtinë. Por, gjatë vitit 1997 ai zyrtarisht filloi të lunte për klubin nga Zvicra, FC Thun. Gjatë sezonit 1997-2004, Rama bëri afro 225 paraqitje dhe shënoi 73 gola. Gjatë vitit 2004, Milaim Rama luajti edhe për FC Augsburg, për t’u rikthyer në futbollin zviceran menjëherë pas një viti, me klubin e FC Schaffhausen. Kurse në gjatë viteve 2006-2012, Rama u rikthye në FC Thun, duke zhvilluar +130 paraqitje dhe duke shënuar 31 gola.

Te Kombëtarja e Zvicrës, lojtari nga Vitia bëri shtatë paraqitje./IndeksOnline/