10:09 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Gashi: Emri i Skënderbeut të figurojë në hartën e Torontos

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, sot u prit nga ministrja e Migracionit dhe e Shtetësisë e shtetit të Ontarios, Laura Albanese, me të cilën, pos të tjerash, diskutoi edhe për ngritjen e një qendre kulturore shqiptare në qytetin e Torontos.

Ministrja Albanese ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të promovimit të kulturës shqiptare, duke sponsorizuar edhe ligjin që është miratuar në Parlamentin e shtetit të Ontarios, ku muaji nëntor është shpallur muaji i kulturës shqiptare.

Me këtë rast ministri Gashi e informoi ministren Albanese për misionin dhe punën e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

“Në kuadër të vizitës kemi takuar edhe shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Toronto, afaristë të suksesshëm, nga të cilët kam një kërkesë që duhet t’jua paraqes – të ndihmoni gjetjen e lokacionit për vendosjen e një shtatoreje të Skënderbeut, pasi edhe ky vit është shpallur Vit i heroit më të madh shqiptar”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu kërkoi nga ministrja Albanese mbështetjen e Qeverisë së Ontarios për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, si dhe për ndërtimin e një qendre kulturore shqiptare në Toronto.

Ndërsa, ministrja Albanese premtoi se do të punojë së bashku me komunitetin dhe do ta mbështetë atë, si dhe do t’i japë këshilla për t’i përmbushur kërkesat e tyre, ani pse disa nga to më vështirë janë të realizueshme.

Po ashtu, duke pasur parasysh kërkesat e shumta nga Kosova për punë sezonale në Ontario, ministrja Albanese theksoi se për t’u pajisur me vizë pune ekzistojnë disa mënyra, ndërsa përmendi njohuritë e gjuhës angleze ose franceze, si parakusht kryesor për të qenë i kualifikuar për shqyrtim të aplikacionit për vizën e punës.