13:53 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Gashi: Me peticione nuk rrëzohet Gjykata Speciale

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së fundi kanë ndërmarrë iniciativën për një peticion kundër Gjykatë Speciale.

Ndërsa dje këta të fundit kanë dorëzuar në Kuvend peticionet, me anë të cilave kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nasim Haradinaj nga kjo organizatë ka thënë se tashmë kanë arritur t’i mbledhin mbi 15 mijë nënshkrime dhe se tashmë presin që të thirret seanca, për të shfuqizuar ligjin në fjalë.

E siç duket juridikisht e gjithë kjo iniciativë është e vonuar dhe e pandikueshme tek Gjykata Speciale.

Avokati mbrojtës, Tomë Gashi ka thënë se edhe 500 mijë nënshkrime po të bëhen, nuk kanë asnjë ndikim dhe nuk ndryshohet asgjë.

“Edhe 500 mijë nënshkrime po të bëhen absolut asnjë ndikim nuk e kanë dhe asgjë nuk ndryshon. Asnjë efekt nuk e ka pasi kjo iniciativë është e vonuar e ndikuar nga politika për interes të caktuar dhe është dashtë të bëhet para gushtit të vitit 2015, kur deputetët kanë votuar për dëmin e Kosovës dhe e kanë votuar Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi për Indeksonline.

Ai ka thënë se Kosova, është i vetmi shtet në botë që ka votuar kundër vetvetes.

“Për të pasur ndryshime të Ligjit për Gjykatën Speciale do të duhej të ndryshohej Kushtetuta dhe të jetë pajtimi i Listës Serbe, gjë që nuk do të jetë kurrë. Ata dirigjohen nga Qeveria e Serbisë dhe kjo qeveri me dhjetëra herë është deklaruar se e përkrahë Gjykatën Speciale”, ka shtuar Gashi.

Gjithashtu avokati ka deklaruar se nuk e di saktësisht se kur do të startojë Gjykata Speciale por që kryeprokurori është deklaruar se gjithçka është gati dhe se ka mbetur vetëm që në momentin e duhur t’i paraqesë akuzat në Gjykatën Speciale.

Duhet shtuar se Gjykata Speciale pritet të ngritë akuza në fytyra të njohura publike, lidhur me dyshimet mbi krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë./Indeksonline/