15:47 / E Diele, 20 Shtator 2020

Gastronomët në krizë rreth 30 për qind e stafit janë larguar nga puna

Pandemia Covid 19 ka goditur më së shumti sektorin e gastronomëve.  Gastronomët në Kosovës edhe sot kanë vazhduar pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës, ku në shenjë proteste kanë thyej pjata.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka thënë se protestat do të vazhdojnë më 25 shtator para objektit të Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie me gjendjen e rëndë të krijuar në këtë sektor si pasojë e masave të vendosura nga qeveria.

Ai ka kërkuar që të hiqet kufizimi i lëvizjes si për qytetarë, ashtu edhe për biznese. Qëllimi i kësaj proteste, sipas tij, është për të ndikuar te shteti që ta ndihmojë gastronominë financiarisht, pasi që nuk po munden t’u dalin ballë shpenzimeve në kohë pandemie.

Klokoqi ka thënë se masat e Qeverisë ndaj sektorit të gastronomëve, ka pasur ndikim negativ pasi që 30 për qind e stafit ka mbetur pa punë.

 “Ndikimi ka qenë aq i madh sa që papunësia ka shënuar rritje 31 për qind në shtetin e Kosovës, në të gjitha bizneset, ku besoj që pjesa më e prekur është gastronomia për nga përqindja e papunësisë. Ende nuk ka përfunduar gastronomia, dhe nuk kemi mund t’i nxjerrim ende shifrat e sakta, mirëpo parashihet që diku rreth 30 për qind e stafit është larguar nga puna. Jemi duke mbledhur të dhënat e ndryshme, dhe çdo ditë kemi ‘vdekja’ ekonomike te gastronomët e ndryshëm”, ka thënë ai.

Kllokoqi ka lutur gastronomët që t’i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19, derisa ka kërkuar që ky sektor të ndihmohet financiarisht dhe që të mos ndëshkohet, ndera institucionet e vendit të stimulojnë bizneset, mos t’i ndëshkojnë.