Gati 300 personave u bëhet autopsia brenda 9 muajve, 32 raste fëmijëve!
Vrasje e vetëvrasje të shumta ndodhen gjatë këtij viti. Disa nga ta emra të njohur për publikun, por nuk munguan as ato të moshës nën 18-vjeç.
Në fund të muajit mars të këtij viti, një nënë nga Gjakova vrau në mënyrë makabër foshnjën e saj të dy ditëshe. Pasi gjykata e shpalli fajtore ajo u dënua prej vetëm 1 viti e 6 muaj.
Një tjetër rast i ndieshëm, ishte ai i 16-vjeçares nga Shtimja, Erona Bajrami. Ajo u gjetë e vdekur pranë një ndërtesë të pabanuar.
Rezultatet tregojnë se ajo kishte rënë nga ndërtesa, mirëpo nuk u tha nëse kishte kercyer vetë apo nëse e kishte hedhur dikush. Një detaj tjetër që u mësua, ishte se po e njëjta kishe të shqyer pantollonat poshtë këmbëve.
Me gjithë hetimet e bëra, në fund u tha se ajo kishte bërë vetëvrasje, transmeton Indeksonline.
Një tjetër rast që tronditi opinionin, ishte vrasja e aktorit të serialit “O sa mirë”, Art Kuqi.
Prokuroria Themelore e Gjakovës, njoftoi se në bazë të hetimeve aktori në fjalë kishte bërë vetëvrasje.
“Pas ndërmarrjes së një sërë veprimesh hetimore dhe pas kryerjes së autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, MA 18-112 të datës 24.04.2018 dhe pas marrjes së Raportit të Ekspertimit nga ana e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, AKF/2018-1695/2018-1601 të datë14.06.2018, konstatohet se i ndjeri Arti M. Kurti ka kryer vetëvrasje”, thuhej në njoftimin për media. Rastet e dyshimta të vrasjeve/vetëvrasjeve dukshëm kanë qenë më të theksuara gjatë këtij viti. Vetëm gjatë këtij viti në Kosovë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë kryer gjithësej 297 raste të autopsisë. Sipas Institutit, këto ekzaminime janë bërë për raste të ndryshme si për vrasje, vetëvrasje, dyshime për dhunime, raste të dhunës fizike e kështu me radhë.
“Gjatë periudhës nëntë mujore të vitit 2018, në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë kryer gjithësej 297 raste të autopsisë, prej tyre 74 femra dhe 222 meshkuj dhe një NN”, ka thënë në një përgjigje për Indeksonline, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Numër jo i vogël i autopsisë, është bërë edhe për moshën 0 deri 18 vjeç, transmeton Indeksonline.
“32 raste të autopsisë kanë qenë të moshës 0-18”, thuhet tutje në përgjigjen e tij.
Gërxhaliu ka bërë me dije se eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se nga to kanë qenë 33- vrasje dhe 58 vetërvrasje. “33 vrasje dhe 58 vetëvrasje që janë të konfirmuara nga opinion i ekspertit mjeko-ligjor , por siç edhe jeni të njoftuar shumë raste janë ende në procesin e kompletimit ku presin për rezultatet e analizave laboratorike”, ka vlerësuar ai.
Kur jemi tek procedura e rezultateve të autopsisë, sipas Gërxhaliut ato zgjasin nga 1,5 orë deri në 5 orë. /Indeksonline/