08:41 / E Shtunë, 28 Nëntor 2020 / A. M.

Gazetari kosovar, Agim Muhaxheri që goditi regjimin serb: Rrëfen për vrasjen e vogëlushit nga Boban Kërstiq!

Rrëfimin i dhimbshëm i familjes Brestovci nga Prishtina, familje kjo e cila në natën e 27 korrikut të vitit 1994 humbi djalin e tyre 6 vjeçar, Fidan Brestovci.

Dokumentari “Expose” ka pasqyruar rastin e vrasjes pabesisht në mënyrë tinëzare nga polici serb Boban Kërstiq, në rrugën në mes të fshatrave Rahovicë e Softaj të komunës së Ferizajt.

Gazetari që kishte raportuar për këtë rast , Agim Muhaxheri, ka ndarë përjetimet e tij për mënyrën se si kishte mbledhur informacionet dhe kishte raportuar.

Në artikujt e publikuara në gazetat e shtypura ai ishte treguar i guximshëm duke shfaqur në mënyrë reale ngjarjen, madje edhe duke goditur me titujt si; “Terrorizëm mbi fëmijët”, “Pushteti që vret fëmijët nuk e ka larg fundin” dhe “Vrasësit shpërblehen”.

“Unë kam qenë atë kohë gazetar i RILINDJES/BUJKUT, kam bë për Fidanin e vogël (Brestovcin) lajmin se është vrarë nga forcat e policisë serbe në atë kohë dhe se ai ka qenë me nënën dhe babain e vet, Bajrushin, në një fshat në relacionin Ferizaj-Prishtina. Rrugës për në Prishtinë, polici Boban Kërstiq i njohur si gjakpirës ka shtënë në automjetin ku ka qenë vogëlushi dhe aty është qëlluar me disa plumba, jo vetëm ai, por edhe nëna e Fidanit. Rrugës për spital, Fidani ndërron jetë. Kjo ishte një ngjarje shumë e dhimbshme për Kosovë që polica serbe vret edhe fëmijë.

Këtë rast e kam ndjekur si proces gjyqësor në Gjykatën e atëhershme të Qarkut në Prishtinë.

Boban Kërstiqi në vend se të dënohet, ai shpërblehet. Unë e bëj shkrimin për të, “Vrasësit shpërblehen”.

Ishte çast shumë i dhimbshëm kur kam shkuar për atë djalë. Si sot më kujtohet. Çka  t’ju them, kam qëndruar në shtëpinë e tyre, disa herë, afër Pazarit të Gjelbër në Prishtinë, u mërzitshin shumë. Janë friku gazetarët, mu s’ma ka ndier. Kam raportuar dhe s’jam frikësuar nga regjimi serb.

Shkrimet flasin. Atë ngjarje e kam ndjekur në vazhdime, lajme, artikuj, komente të ndryshme”, është shprehur Muhaxheri.