10:55 / E Martë, 03 Tetor 2023 / AR

Genc Jakupi në sezonin e ri të “The Walking Dead”!

Në skenën e kinematografisë dhe teatrit botëror në vitet e fundit, emri i Genc Jakupit ka filluar të ngrihet me ngadalë, por sigurt. Ky aktor i talentuar ka një histori të jashtëzakonshme dhe një përkushtim të vërtetë ndaj artit të aktrimit. Lindur dhe rritur në Prishtinë, Genc Jakupi dhe vëllai i tij emigruan në Nju Jork gjatë periudhës së trazuar të luftës në Kosovë. Shpërngulja në një qytet me mundësi të mëdha ishte një shtysë vendimtare për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e tyre në botën kinematografike.

Në Nju Jork, në moshën 19 vjeçare, Genc Jakupi filloi karrierën e tij në aktrim në Herbert Berghof (HB) Studio në Greenwich Village, një shkollë e teatrit dhe e arteve performative. Përvoja në Nju Jork i dha atij mundësinë të njohë artistë dhe krijues të talentuar nga të gjitha sferat e artit.

Pas disa viteve në Nju Jork, Genc Jakupi u transferua në Paris, për të studiuar në shkollën e famshme të teatrit fizik “Jacques Lecoq”, e cila promovon një metodologji eksperimentale që bazohet në lëvizje, fizikalitet, liri dhe improvizim. Studimi i metodologjisë Lecoq, në një qytet me një trashëgimi kulturore të pasur dhe një mjedis tërheqës artistik, ishte një hap sfidues, por në të njëjtën kohë një përvojë që e ndikoi thellësisht zhvillimin e tij profesional.

Një nga momentet më të shënjuara në karrierën e tij ishte roli në filmin “Bleed for This,” i cili doli në vitin 2016 me regji nga Ben Younger dhe produksion nga Martin Scorsese. Ky film ishte një sukses i madh i tij dhe u vlerësua nga kritikët për shfaqjen e tij të jashtëzakonshme aktoriale.

Sot, Genc Jakupi është pjesë e serialit të famshëm “The Walking Dead”, një produksion i ndjekur në nivel ndërkombëtar. Roli i tij në këtë serial tregon për aftësitë e tij të shquara dhe aftësinë për të portretizuar karaktere komplekse. Ai poashtu është pjesë e serialit triller francez “Infiltré(e)”, nga Frédéric Krivine dhe Emmanuel Daucé, realizuar nga Jean-Philip Amar, qe ka filluar te shfaqet me 25 shtator 2023.

Nga Prishtina në Nju Jork dhe më pas në Paris, rrugëtimi i tij është një inspirim për ata që ndjekin ëndrrat dhe pasionet e tyre, duke shpresuar të arrijnë një ditë suksesin…