75 Mall Live Search
23:48 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Gjakovë: Mbrojtja kundërshton aktakuzën në gjykimin e drejtorit të QKMF-së

Në gjykimin e Kujtim Zararit, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, sot para Gjykatës u prezantuan kundërshtimet e aktakuzës.

Avokati i të akuzuarit, Teki Bokshi, kërkesën e tij për hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë e arsyetoi me faktin se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ka pasur përfitim e as shkaktim të ndonjë dëmi.

“Provat e cekura në aktakuzë kanë të bëjnë me një procedurë juridiko-administrative, sepse detyra e drejtorit e obligon t’i nënshkruajë aktet e QKMF-së”, tha Bokshi.

Zarari akuzohet se në qershor të vitit të kaluar, në cilësinë e drejtorit të QKMF-së, ka tejkaluar kompetencat e tij kur e ka larguar nga pozita drejtorit të Administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Gjakovë Musa Gjergjajn.

Aktakuza thotë se këtë vendim Zarari e ka marrë në kundërshtim me Ligjin për shërbyesit civilë të Kosovës.

Sipas aktakuzës, i vetmi organ që mund ta largojë nga puna shefin e administratës është kryetari i Komunës.

Ndërsa prokurori i shtetit, Agron Matjani, kërkoi nga Gjykata që kundërshtimet e mbrojtjes t’i konsiderojë si të pabazuara, me arsyetimin se aktakuza është mbështetur në prova të mjaftueshme.

“Në këtë rast i akuzuari Kujtim ka ndërmarrë një vendim të jashtëligjshëm duke e larguar nga puna të dëmtuarin Musë, dhe pas disa ankesave i njëjti është kthyer në vendin e punës dhe gjatë kësaj periudhe kohore i dëmtuari ka marrë kompensimin që i ka takuar sipas Ligjit, andaj kërkesa për hedhjen e aktakuzës duhet të hidhet poshtë”, kërkoi nga Gjykata prokurori Matjani.

I dëmtuari Musë Gjergjaj nuk ishte i pranishëm në sallë të gjykimit.

Si rrjedhojë gjyqtari Shaqir Zika bëri të ditur se lidhur me propozimet e palëve do të vendosë me vendim të veçantë./Kallxo.com/