21:28 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Gjendet një alternativë tjetër për kosovarët që ia mësyjnë Maqedonisë

Janë bërë më shumë se 10 ditë kur magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit është mbyllur për qarkullim të automjeteve për një afat të pacaktuar.

Ministria e Infrastrukturës ka konfirmuar se në këtë segment rrugor, që shpie për në Maqedoni, është duke u punuar për ta mënjanuar rrezikun e shpeshtë të shembjes së dheut.

Rruga për të cilën qytetarët e Kosovës kanë përzgjedhur deri më tani për të udhëtuar në Maqedoni ishte Gorancë-Glloboqicë. Mirëpo, pas ankesave të shumta, pritet që të bëhet një alternativë tjetër më e përshtatshme dhe më e shpejtë.

Indeksonline mëson se nga nesër do të lëshohet një aks tjetër shumë më i përshtatshëm. Automjetet e kosovarëve tani mundë të lëvizin në drejtim të Ivajës-Shtrazës-Kotlinës-Kashanit dhe Hani i Elezit.

“Do të shtrohet asfalt nga 1850 metra dhe kjo do ta lehtësoj arritjen për në shtetin fqinj”, thotë ky burim.

Ndryshe,  ministri Pal Lekaj vendimin për ndalim të qarkullimit rrugor në segmentin Kaçanik-Hani i Elezit nuk është marrë për teke personale, por pas vlerësimeve të ekspertëve se çdo ditë e më shumë përbën rrezik dhe rrjedhimisht duhet të veprohet që të ruhet jeta e qytetarëve e më së shumti e njerëzve të Kaçanikut, të Elezi Hanit e pastaj për të gjithë të tjerët që e frekuentojnë atë segment.

“Ju them me përgjegjësi të plotë se çdo ditë po punohet që të bëhet zgjidhje e shpejtë dhe rruga të rikthehet në funksion. Por poashtu nuk guxojmë të lejojmë që gjërat të bëhen vetëm sa për të thënë, çdo ngutje nënkupton diçka tjetër, e mund të përsëritet ajo që ka ngjarë thuajse në çdo vit, sepse asnjëherë nuk është zgjidhur që sa vite ashtu siç duhet, e për tu sanuar problemi (rreziku) njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar ai. /Indeksonline/