13:35 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Gjeneral Rama në konferencën e shefave të mbrojtjes në Gjermani

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, mori pjesë në Konferencën e 26-të vjetore të Shefave të Mbrojtjes në Wiesbaden të Gjermanisë. Në këtë konferencë morën pjesë mbi 39 shefa të Mbrojtjes nga shtetet evropiane, anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama në Wisbaden u takua me shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane gjeneralin Mark A. Milley dhe gjenerallejtënant Christopher Cavoli, komandant i Ushtrisë Amerikane për Evrope, si dhe me homologë të shumtë nga shtetet mike të Kosovës.

Konferenca e Shefave të Mbrojtjes, e cila u organizua nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë, kishte si temë: “Ndërveprueshmërinë në Evropë”. Me theks të veçantë në konferencë u diskutua ndërveprueshmëria si koncept si dhe aspektet e gatishmërisë në nivel kombëtar dhe në Aleancën Veri-Atlantike ( NATO) për t’u ballafaquar me kërcënimet dhe rreziqet në Evropë.

FSK- ja është dhe mbetet e përkushtuar në mbajtjen e aftësive dhe zhvillimin profesional në të gjitha fushat me qëllim të ndërveprimit me partnerët strategjikë dhe shtetet tjera partnere.