10:32 / E Shtunë, 23 Maj 2020 / indeksADMonline

Gjermania dhe Franca: Të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e BE-së

“Situata e pazgjidhur midis të dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë është një çështje europiane e sigurisë. Ajo pengon zhvillimin e nevojshëm ekonomik dhe përparimin politik”.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas dhe homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar që të rifillojë menjëherë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Europian.

Këtë e ka bërë të ditur ambasada e Gjermanisë në Kosovës përmes një shkrimi në Facebook, ku theksohet së situata e pazgjidhur midis dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor, njofton Klan Kosova.

“Së bashku me Serbinë dhe Kosovën, ne jemi të vendosur që t’i zgjidhim të gjitha pengesat e mbetura. Situata e pazgjidhur midis të dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë është një çështje europiane e sigurisë. Ajo pengon zhvillimin e nevojshëm ekonomik dhe përparimin politik”.

“Për këtë qëllim, shtetet anëtare të BE-së emëruan një nga diplomatët më të aftë të Europës, Mirosllav Lajçak, si Përfaqësues Special për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për çështje të tjera rajonale. Franca dhe Gjermania janë të gatshëm ta mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin politik, diplomatik dhe ekonomik”.

“Në prill të vitit 2019, Kancelaria Merkel dhe Presidenti Macron ftuan udhëheqësit e rajonit në një samit në Berlin. Tani që Miroslav Lajçak ka marrë detyrën, është koha që dialogu të rinisë. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Presidenti Macron ka deklaruar gatishmërinë e tij për të mbajtur një samit të dytë në Paris. Sidoqoftë, gatishmëria për dialog është një parakusht për këtë”.

Sipas dy kryediplomatëve europianë, nuk ka rrugë të shpejtë dhe të shkurtër që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Një qasje serioze kërkon negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-në si një ndërmjetës i ndershëm. Nevojitet më shumë ndërmjetësim dhe vendosmëri politike – diçka që mund të prisni nga Mirosllav Lajçak dhe ekipi i tij – me mbështetjen e Përfaqësuesit të Lartë Borrell, si dhe të Berlinit e Parisit”.

“Është inkurajuese të shihet se si Kosova dhe Serbia kanë trajtuar koronavirusin. Ne gjithashtu mirëpresim vendimin e Kryeministrit Kurti për të pezulluar tarifat 100 për-qind ndaj mallrave nga Serbia si dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ne gjithashtu presim që Serbia të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve.

Maas dhe Le Drian po ashtu kanë kërkuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura Prishtinë-Beograd që nga viti 2011, përmes dialogut të lehtësuar nga BE.

“Nuk është koha për manovrim politik. Kriza e tanishme do të rrisë tensionet sociale dhe pakënaqësinë politike. Marrja e kërkesave të qytetarëve seriozisht nënkupton forcimin e institucioneve, trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimin e mundësive ekonomike për të gjithë. Kjo është rruga përpara që ju sugjerojmë – ne do të jemi pranë jush”.