11:31 / E Martë, 05 Prill 2022 / B O

Gjermania do të marrë përsipër “Gazprom Germania” për të garantuar sigurinë e furnizimit

Dega gjermane e gjigantit energjetik rus Gazprom do të vendoset nën autoritetin e Agjencisë Federale të Rrjetit Gjerman, njoftoi ministri i Ekonomisë së vendit, Robert Habeck.

Vendimi i Gjermanisë erdhi tre ditë pasi Gazprom njoftoi braktisjen e operacioneve të saj në Gjermani në mes të një mosmarrëveshjeje midis dy vendeve lidhur me këmbënguljen e fundit të Moskës që pagesat për gazin rus të bëhen në rubla dhe jo në euro.

Duke e përshkruar masën si “absolutisht të nevojshme”, Habeck tha se “Gazprom Germania” operon infrastrukturën kritike në Gjermani dhe për këtë arsye është “jashtëzakonisht i rëndësishëm për furnizimin me gaz”.

“Qeveria po bën atë që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e furnizimit në Gjermani”, tha Habec para gazetarëve.

Ai shprehu shqetësimin për “situatën e paqartë ligjore” të kompanisë pas vendimit të Rusisë për ndërprerjen e operacioneve të saj, duke e quajtur këtë hap një “shkelje të kërkesave të raportimit të Urdhëresës së Tregtisë së Jashtme”.

Kreu i Agjencisë Federale të Rrjetit të Gjermanisë, Klaus Muller tha se agjencia do të ofrojë “menaxhimin e duhur”, duke marrë të gjitha hapat e nevojshëm për vazhdimin e garantimit të sigurisë së furnizimit.

“Gazprom Germania” luan rol kyç në furnizimin me energji të Gjermanisë përmes filialit të saj Wingas. Gazprom është i përfshirë në tregtimin e gazit në Gjermani, ndërsa filiali i tij Astora operon objektin më të madh të magazinimit të gazit natyror në Gjermani në qytetin verior Rehden në shtetin e Saksonisë së Ulët.