18:52 / E Mërkurë, 16 Tetor 2019 / indeksADMonline

Gjetje e pabesueshme: Arkeologët egjiptianë gërmojnë 20 sarkofagë të pikturuar

Arkeologët kanë gjetur më shumë se 20 arkivole prej druri afër Luxor në Egjipt, transmeton BBC.

Sarkofagët, me modele ngjyrash ende të dukshme, u zbuluan në nekropolin Asasif të vendosur në bregun perëndimor të lumit Nil. Ata ishin rregulluar në dy rreshta, njëri mbi tjetrin.

Ministria e Antikiteteve egjiptiane e ka quajtur këtë zbulim “një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmet” vitet e fundit.

Shumica e varreve në nekropolin e Asasif datojnë nga periudha e vonë (664 – 332 p.e.s.) e Egjiptit të lashtë.

Sidoqoftë, ekzistojnë edhe arkivole nga dinastia e hershme e 18-të (1550 – 1229 p.e.s.), së cilës i përkisnin edhe faraonët e famshëm si Hatshepsut, Amenhotep III dhe Tutankhamun.

Ministria e Antikiteteve njoftoi javën e kaluar se arkeologët kishin zbuluar një “zonë industriale” të lashtë në luginën perëndimore të Luxor që strehonte “objekte për ruajtjen dhe pastrimin e pajisjeve funeral, me shumë qeramikë të dinastisë së 18-të”.

Ministria do të lëshojë më shumë detaje në lidhje me këtë zbulim të jashtëzakonshëm në një konferencë shtypi të shtunën.