16:11 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Gjilani i thotë ‘Boll ma’ dhunës ndaj grave

Organizuar nga gratë e Komunës së Gjilanit, me pjesëmarrje të zonjave në qendër të qytetit të Gjilanit, sot është mbajtur një protestë paqësore me moton ‘Boll ma’ dhunës ndaj grave dhe njëkohësisht është kërkuar promovim i të drejtave të grave dhe ndalimin njëherë e përgjithmonë të dhunës ndaj gruas në përgjithësi.

Shumë gra protestuese nga shoqëria civile, aktiviste, dhe nga profile të ndryshme morën pjesë në protestën paqësore me synim ngritjen e zërit, vetëdijësimin dhe ndalimin e dhunës së grave, transmeton Indeksonline.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e Kuvendit të Komunës, Gjylishene Berisha, aktiviste e përhershme e kauzës për të drejtat e grave dhe Ajeta Maka nga shoqëria civile, kanë bartur mesazhin e përbashkët për tolerancë familjare, pavarësimin e femrës, përkrahjen, respektimin e vlerave njerëzore të femrës si grua dhe si nënë e cila është shtylla kryesore e familjes.

Ato, gjithashtu, kanë ftuar të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të bëjnë më shumë për të drejtat e grave dhe trajtim të barabartë me burrat./Indeksonline/.