17:12 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

Gjini: Asnjë vizitë e pelegrinëve serb në Gjakovë derisa nënat t’ua japin lejen

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar lidhur me mundësinë e vizitës së pelegrinëve serb në Gjakovë.

Pas protestës së qytetarëve kundër vizitës së pelegrinëve serb në Gjakovë, Gjini ka thënë se ata duhet kërkuar leje prej nënave pasi sipas tij përpos tyre askush tjetër nuk mund të japë leje për ta, transmeton Indeksonline.

Gjini ka thënë poashtu se i garanton se pasi të kenë marrur leje nga nënat e viktimave, askush nuk do të pengojë asnjë vizitë apo pelegrinazh.

Postimi i plotë:
Gjakova ka pësuar shumë! Shumë më shumë se sa që mund të anticipojnë njerëzit që i shohin përpjekjet për lëvizje të lirë e edhe për pelegrinazh si mundësi provokimi dhe rikthimi të dhembjes e ankthit për qytetarët, që i kanë humbur më të dashurit e tyre, në mënyrën më mizore të mundshme.
Nuk mund të quhet i sinqertë asnjë tentim tinëzar për t’u përvjedhur prapa shpinës së nënave që ende, edhe pas gati 20 viteve, i kërkojnë trupat e bijve e bijave të tyre.
Askush nuk mund të japë leje për pelegrinazh pos tyre!
Serbët që kanë jetuar në Gjakovë duhet dhënë prova të pamohueshme, të padiskutueshme dhe të qarta si loti se angazhohen të paktën për gjetjen e trupave të viktimave të vrara e të masskruara; të mos i mohojnë krimet; të mos i justifikojnë kriminelët; dhe, edhe ata që nuk kanë kryer krime drejtpërdrejtë, t’iu kërkojnë falje të sinqertë ish fqinjëve të tyre, sepse nëse asgjë tjetër nuk kanë bërë, kanë qenë dëshmitarë të heshtur të djegjeve, shkatërrimit dhe masakrave brutale!
E pastaj,… duhet t’iu kërkojnë leje nënave dhe qytetarëve të Gjakovës! Askujt tjetër!
Si kryetar i Gjakovës iu garantoj se pasi që ta keni marrur lejen nga nënat e viktimave, askush nuk do ta pengojë asnjë vizitë apo pelegrinazh!