11:19 / E Shtunë, 10 Qershor 2023 / shkelqim osmanaj

Gjini: Kishte qenë mirë Rama me ia prezantu atë draft Kosovës, kemi shumë të panjohura rreth tij

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka komentuar draftin e Asociacionit të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dërguar SHBA-së dhe BE-së.

Sipas Gjinit, meqenëse të gjithë po propozojnë drafte, “është pak palidhje me i thënë Edi Ramës ti s’ke të drejtë”.

Ai thotë se do kishte qenë mirë që fillimisht ai draft të diskutohej me Kosovën.

“Mirëpo unë kam shumë të panjohura këtu. Nuk e di ai draft a është diskutuar të paktën në takime të veçanta edhe me Kosovën. Kishte me qenë mirë…a është diskutu me SHBA?! Nuk e di. Për mua ka shumë të panjohura këtu, mirëpo më besoni, nëse kish dal Gjermania ose Zvicra me një draft, Kosova nuk ish idhnu kaq shumë”, deklaroi ai në “Info Nata” në Tëvë 1.

Gjini potencoi se të kishte qenë ai në vend të Ramës, atë draft do ta kishte propozuar fillimisht me Kosovën.

Kryeministri Rama ka njoftuar se para dy ditësh, një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ia ka dorëzuar BE-së dhe SHBA-së, i cili sipas tij është punuar nga disa ekspertë të huaj.