15:58 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Gjithçka gati për protestën kundër referendumit për emër në Maqedoni

Sot në Shkup është paralajmëruar një protestë kundër referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Protesta pritet të mbahet në ora 18 në mbrëmje para Parlamentit maqedonas, organizatorët e protestës janë organizata të ndryshme joqeveritare të cilët qysh në orët e hershme të mëngjesit po shpërndajnë afishe para kuvendit të Maqedonisë ku u bëhet thirrje qytetarëve për ta bojkotuar referendumin e së dielës, raporton Indeksonline.

Organizatorët thonë se pushteti po bënë propagandë kinse protesta është anuluar duke shpërndarë postera nëpër rrugët e Shkupit ku lajmërohen qytetarët për anulimin e protestës.

Por pavarësisht kësaj ata këmbëngulin se kjo protestë do të mbahet dhe pritet të ketë pjesëmarrje masive.

Sipas informacioneve të Indeksonline prapa kësaj proteste edhe pse jozyrtarisht, qëndrojnë partitë opozitare më në krye partinë e ish kryeministrit Nikola Gruevsi VMRO-DPMNE.

Kundër referendumit dhe në mbështetje të kësaj proteste janë deklaruar edhe disa parti joparlamentare të cilat mbështeten nga Rusia. Ndërkohë Ambasada Amerikane në Shkup sot ju ka bërë thirrje qytetarëve të saj që t’i shmangin vendet publike dhe lokacionin ku pritet të mbahet protesta para Kuvendit të Maqedonisë.