75 Mall Live Search
07:28 / E Enjte, 12 Prill 2018 / indeksADMonline

Gjykata obligon të paditurit të paguajnë shumën prej 17.500 Euro

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dje ka përfunduar kontesti gjyqësor për vërtetim pronësie, ku të paditur janë Salih dhe Burim Preteni.

Me aktgjykim, të paditurit Salih dhe Burim Preteni janë obliguar që paditësit Avni Preteni deri më 11 prill 2019 t’ia paguajnë shumën e të hollave prej 17.500 euro.

Në seancë nuk prezantoi i padituri tjetër Safet Hajra për të cilin gjyqtari Skender Shala njoftoi se ftesa i është dërguar me kohë dhe në mënyrë të rregullt gjë që ishte konstatuar në bazë të fletë-kthesës, por i njëjti mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Kurse me propozimin e të autorizuarit të palës paditëse, avokatit Zenel Ademi, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi pa prezencën e tij.

Paraprakisht, i autorizuari i të paditurit u deklarua lidhur me padinë dhe kërkesëpadinë duke bërë precizimin në para – të holla ndaj të paditurve Salih dhe Burim Preteni.

Kështu Zenel Ademi i propozoi Gjykatës që të lartëcekurit t’i obligojë në emër të padisë dhe kërkesëpadisë si dhe konform ekspertizës të ekspertit gjeodet, t’i paguajnë paditësit shumën prej 17.500 euro deri më 11 prill 2019.

Sipas të njëjtit, kjo shumë ishte paraparë edhe në marrëveshjen e paditësit dhe të paditurve Salih dhe Burim Preteni, përkatësisht babit të tyre Selim Preteni.

Kurse në raport më të paditurin Safet Hajra deklaroi se e tërheq në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë, shkruan Kallxo.com.

Edhe paditësi Avni Preteni, i cili ishte prezent, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën e të autorizuarit të tij, Zenel Ademi.

Tutje të paditurit Salih dhe Burim Preteni u deklaruan se e pranojnë në tërësi propozimin e të autorizuarit të paditësit, që deri në prill 2019 t’i paguajnë shumën prej 17.500 euro paditësit Avni Preteni, të paraparë me marrëveshjen që ishte bërë më 29 janar 2013 e të cilën e kishte nënshkruar tani i ndjeri babai i tyre, Selim Preteni.

Pas kësaj, paditësi deklaroi se përveç shumës së të hollave të parapara në marrëveshjen e lartcekur ai nuk kërkonte asnjë pëllëmbe tokë as nëse eventualisht toka do të jepet për ndërtim të lartë.

Në fund, palët ndërgjyqësore deklaruan se heqin në tërësi dorë nga e drejta në ankesë, ndërsa secila palë i bart shpenzime e veta të procedurës kontestimore.

Më këtë shqyrtimi në këtë çështje kontestimore mori fund. Ndryshe, sipas padisë së ngritur në tetor të vitit 2013, paditësi Avni Preteni ka paditur Safet Hajrën dhe Salih e Burim Pretenin në kontestin për vërtetimin e pronës në Mitrovicë.

Kjo pronë, sipas padisë më parë, ishte blerë nga babai i paditësit.

Preteni përmes padisë ka kërkuar nga Gjykata që t’i obligojë të paditurit t’ia njohin atij të drejtën e pronësisë në pronën e paluajtshme.

Po ashtu, përmes kësaj padie, paditësi Avni Preteni kërkon që t’i lejohet ta regjistrojë në emër të tij pjesën e paluajtshmërisë, për të cilën pretendon se e posedon të drejtën e pronësisë.

Ai në padi gjithashtu kërkon që edhe t’i caktohet masa e përkohshme e sigurimit ndaj të pandehurve dhe t’u ndalohet atyre ndërtimi apo tjetërsimi i asaj prone.