21:53 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

Gjykimi për grabitjen e parave të fshehura në jastëk

Në gjykimin ndaj Rinor Korqës e Halim Pacollit të akuzuar për grabitje në shtëpinë e familjes Jashari, në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësorë, seanca është shtyrë për një ditë tjetër.

Kjo seancë gjyqësore kishte qenë e paraparë që të mbahej paradite por për shkak se njëri nga anëtaret e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Mekaj  ishte e zënë në një seancë tjetër kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala seancën  e kishte shtyrë për pas dite.

Pas dite, pasi që kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala e hapi shqyrtimin gjyqësor, pas konstatimit të palëve të pranishme në sallë të gjykatës, e evidentoi mungesën e prokurores së rastit, Javorka Përlinqeviq.

Gjyqtari Shala tha se prokurorja e rastit Javorka Përlinqeviq kishte qenë e pranishme paradite dhe se e njëjta më pas kishte shkuar në zyre te gjyqtarit dhe të njëjtin e kishte njoftuar se ajo nuk do të mund të jetë e pranishme në seancë në pjesën e pas ditës për shkak të një ftesë të komunitetit të saj.

E pranishme në sallë nuk ishte as mbrojtësja e të akuzuarit Halim Pacolli, avokatja Teuta Zhinipotoku.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore, gjyqtarit i rastit seancën e radhës e caktoi për datën 31 gusht.

Sipas aktakuzës në dhjetor të vitit 2017, rreth mëngjesit në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës në rrugën “Bekim Mavraj”, në shtëpinë e familjes Jashari, pas një marrëveshje paraprake me të miturin L.J e me qëllim që vetit të i sjellin përfitim të kundërligjshme pasurorë, së bashku me një person të panjohur, kanë ardhur deri te shtëpia e familjes Jashari me automjetin e markës “Golf V”, me ngjyrë të kaltër të mbyllët dhe të pandehurit Rinor Korqa dhe Halim Pacolli kanë hyrë në dhomën e tani të dëmtuarës Mihane Jashari.

Në aktakuzë thuhet se pasi kanë hyrë në dhomën e të dëmtuares Mihane Jashari, i pandehuri i dytë Halim Pacolli me pistoletë në dorë i është ofruar dhe nga ajo ka kërkuar jastëkun në të cilin ishin të fshehura 800 euro të cilat i ka marrë, kurse Rinor Korqa me armë në dorë i është ofruar të dëmtuarës Hava Makolli e ka kapur për dore dhe e ka detyruar të hyn në sallon të shtëpisë e pas kësaj e ka sulmuar dhe fizikisht të dëmtuarën duke e goditur në fytyrë dhe trup duke kërkuar para, ku më pas e dëmtuara i ka dhënë portofolin në të cilin gjendeshin 1500 euro, 50 dollar, dokumentet, një lirë dhe një telefon i markës “Samsung”.

Tutje thuhet se i akuzuari Rinor Korqa më pas e ka sulmuar edhe të dëmtuarën tjetër Lumturije Jashari dhe më pas së bashku me personin N.N me automjet e cekur janë larguar nga vendi i ngjarjes.