18:23 / E Diele, 20 Nëntor 2022 / C E

Gjysëm shekulli në edukim të brezave!

Dr. HAJRIZ MELEQI, GJYSËM SHEKULLI NË EDUKIM TË BREZAVE!

Doktor Hajrizi është intelektual me bagazh të madh njerëzor, profesional, miqësor e shoqëror i cili ka dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat ku është angazhuar si profesor, ekspert dhe veprimtar.

Shkruan: Demir Reshiti

Më 20 nëntor 2022 i mbushi 76 vjet, profesori, pedagogu, publicisti dhe veprimtari opojan prof. dr. Hajriz Meleqi. Doktor Hajrizi është intelektual me bagazh të madh njerëzor, profesional, miqësor e shoqëror i cili ka dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat ku është angazhuar si profesor, ekspert dhe veprimtar.

Punën e tij të frytshme dhe me vlerë e respekton e gjithë komuniteti intelektual, e respektojnë ish-kolegët e tij, nxënësit dhe studentët e tij të cilët kanë pasur fatin ta kenë mësues dhe bashkëpunëtor. Doktor Hajrizin me rastin e ditëlindjes, e kanë vlerësuar me dedikime të shumta në rrjete sociale, familjarë, kolegë e miq të tij…

Prof.dr. Hajriz Meleqi është i lindur me 20 nëntor 1946 në fshatin Blaç të Opojës. Katër klasë të shkollës fillore i ka kryer në vendlindje ndërsa katër klasë të tetëvjeçares në fshatin Bresanë.
Që në moshën 3 vjeçe i vdes nëna dhe për të përkujdeset gjyshja. Ende pa i mbushur dhjetë vjet, e detyrojnë që të kujdeset për bagëtinë e familjes por falë dëshirës së madhe për t’u arsimuar, fletorët e mësimit i merrte me veti gjatë kullotjes së bagëtive. Madje, shpeshherë ishte i detyruar që fletoren ta fsheh në opinga për të mos e qortuar i zoti i shtëpisë!
Falë përkushtimit të madh që kishte për përfitimin e dijes, pavarësisht angazhimit në ruajtjen e bagëtive, arrin që shkollimin fillor ta përfundojë me të gjitha pesëshe duke u shpallë nxënësi më i mirë i shkollës.

E “detyruan” të bëhej mësues ndonëse e donte mjekësinë!

Përkundër dëshirës që të regjistrohet në shkollën e mesme të mjekësisë, komuna nuk i ndan bursë për këtë drejtim me arsyetimin se Opoja kishte më shumë nevojë për mësues kështuqë ia ndau bursën për regjistrim në Shkollën Normale të Prizrenit, e cila ishte njëra ndër shkollat më të mira në Kosovë. Në vitin 1961 fillon mësimin në Shkollën Normale të cilën e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1966. Të njëjtin vit (1966) fillon punën në Shkollën fillore të Bresanës si mësues i ciklit të ulët por njëkohësisht ka ligjëruar edhe lëndë të ndryshme nga klasa e pestë deri në klasën e tetë. Gjatë kësaj kohe ka punuar edhe me kurse shëndetësore për femra ngase femrat at kohë nuk e vazhdonin shkollimin e mesëm. Ka punuar gjithashtu edhe në shkollat e natës për të rritur. Në kohën kur ky punon si mësues kishte disiplinë të madhe ku mësuesit kanë qenë të detyruar të banojnë në disa banesa afër shkollës për tu përgatitur për mësimdhënie. “Kishte shumë disiplinë dhe angazhim, por ama edha pagat ishin të larta, të barabarta me pagën e kryetarit të komunës” – thekson profesor Hajrizi duke e vlerësuar shumë punën që është bërë në arsim në atë periudhë…

Studimet katërvjeçare i kryen për tri vjet!

Etja për arsimim universitar dhe pamundësia financiare për t’u shkolluar pa shkëputje nga puna, e detyrojnë mësuesin e ri Hajriz që të regjistrohet në Fakultetin e Gjeografisë pa shkëputje nga puna (me korrespondencë) dhe studimet katërvjeçare i kryen para kohe (për tri vjet) duke e marrë titullin profesor i Gjeografisë. Si profesor i gjeografisë pranohet në Gjimnazin e Sharrit ku ligjëron lëndët Gjeografi dhe Astronomi. Ka ligjëruar gjithashtu edhe lënden e Mbrojtjes,  nga se ishte edhe epror ushtarak rezervë.

Punën në gjimnaz e ndërpret përkohësisht dhe për tri vite punon si drejtor në Shkollën fillore të Bresanës ku ishte dërguar për ta përmirësimin e gjendjen e krijuar në atë shkollë. Dhe vërtetë arriti që për këto tri vite sa ishte në drejtimin e kësaj shkolle, të vendos rregull dhe ta shndërroj këtë shkollë në njërën nga më të suksesshmet në komunë.

Sukseset e tij në edukimin e brezave të rinj, u pengonin strukturave politike të asaj kohe dhe si shumë intelektualë të tjerë me bagazh kombëtar, përndiqet nga UDB-ja jugosllave.

Pjesëmarrës aktiv në rezistencën kombëtare

Etja për përfitimin e dijeve të reja, e shtyn që të vazhdojë studimet posdiplomike të cilat i regjistron në Universitetin e Zagrebit dhe për dy vjet, pa shkëputje nga puna me sukses arrin t’i përfundojë këto studime duke e fituar titullin magjistër i Gjeografisë. Si magjistër e vazhdon punën në gjimnaz edhe në dhjetvjetshin e fundit të shekullit XX kur regjimi famëkeq i Millosheviqit i mbyll dyert e shkollave shqipe dhe organizohet mësimi paralel nëpër disa fshatra të Opojës, si në Bresanë, Bellobrad, Kapre, Pllavë, Buçe, etj.

Krahas arsimit paralel në fillim të viteve të nëntëdhjeta organizoheshin edhe aktivitete tjera intelektuale e kulturore. U organizua Aksioni historik për pajtimin e gjaqeve, plagëve e ngatërresave i iniciuar nga rinia studentore. Këtij aksioni krahas një numri të konsideruar të intelektualëve e veprimtarëve nga Opoja, iu bashkëngjit edhe profesor Hajrizi i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Forumit të intelektualeve opojanë.

Thirrjes për mobilizim në radhët Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës iu përgjigj edhe profesor Hajrizi i cili falë përvojës së tij si epror ushtarak, kontribuojë në përgatitjen e ushtarëve të rinj… Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të vendit, Hajrizi zgjidhet prefekt i parë Komunës së Sharrit dhe këtë detyrë e kryen me sukses deri në zgjedhjet e para të pasluftës.

Profesor i dalluar universitar dhe autor i shumë librave e punimeve shkencore

Studimet për doktoraturë i regjistron në Universitetin e Lubjanës, mirëpo për shkak të rrethanave politike që u krijuan në atë kohë, detyrohet që t’i vazhdojë në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Gjeografisë ku e merr titullin doktor shkence dhe në të njëjtin departament, në vitin 2000 pranohet si profesor në universitar. Kontributin e tij si profesor universitar e ka dhënë edhe në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë dhe në Fakultetin e Edukimit në Gjilan. Gjatë punës në universitet është shpallur Profesor i dalluar në mesin e dhjetë profesorëve.

Dr. Hajrizi është autor i mbi 60 punime shkencore të cilat i ka botuar në revista të ndryshme shkencore në Kosovë, rajon dhe botë. Ka shkruar 2 monografi (“Opoja dhe Gora” dhe “Opoja”), dy libra universitarë (“Gjeografia Regjionale e Botës” dhe “Gjeografia e Trojeve Shqiptare”) dhe tash së fundi Ministria e Arsimit ia ka botuar librin “Gjeografia 12” që është tekst shkollor për klasat e dymbëdhjeta të drejtimit të shkencave natyrore.

Në arsim ka punuar rrafsh gjysmë shekulli, nga viti 1966 deri në vitin 2016. Tani është në pension dhe jeton në vendlindjen e tij në fshatin Blaç. Edhepse i pensionuar, vazhdon të jep kontributin në të mirë të kombit përmes shkrimeve me vlerë që trajtojnë tema nga zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.

Kur i tregova se kam plan të shkruaj për të me rastin e ditëlindjes, më tha: shkruaj çfarë të duash por mos harro që të mi përshëndesësh të gjithë nxënësit dhe studentet nga se ata me kanë bërë të lumtur në jetën time!

Profesor Hajrizin e urojmë për ditëlindjen e tij të 76-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë dhe suksese në veprimtarinë e tij shkencore e publicistike!