13:53 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Grafitët kundër Albinit, reagon Tinka Kurti: Nuk duam babë, por drejtues

Pas grafiteve kundër Albin Kurtit “s’ka babë, ka ide”, ka reaguar zëdhënsja e Vetevendosjes, Tinka Kurti. Ajo iu thotë atyre që po e kundërshtojnë Albinin brenda partisë, se nuk janë duke kërkuar babë, por po kërkojnë drejtuesin.

Përcarja e Vetëvendosjes ka marrë përmasa të mëdha. Kulmi i saj arriti mbrëmë pasi edhe kryetari i partisë, Visar Ymeri, anoi kah grupi që po e kundërshton Albin Kurtin, ndërsa më pas shpërthyen pothuajse të gjithë zyrtarët e Vetëvendosjes me statuse në rrjete sociale.

Sot në mëngjes para selisë së VV’së, por edhe në pjesë të tjera, janë bërë grafitë kundër Albinit. E, Tinka Kurti u ka reaguar atyre që po e shohin si ‘babë’ Albinin Kurtin.

“Jo, ne nuk po e kërkojmë Babën. Ne po e kërkojmë drejtuesin. Drejtuesin që ju po e luftoni. Deri tani tinëz, e tash haptas. Figura e babës nuk është e mirë, ndaj keni kriju babat e vegjël. Ky nuk është as rebelim. Nuk jemi te psikanaliza, por tek etika. Tash është shumë e qartë për t’ia lënë të pavetëdijshmes”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Statusin e Kurtit e ka pëkrahur edhe deputetja e VV’së Albulena Haxhiu me një “like”.