19:09 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Grupi Parlamentar i AAK-së: Urgjentisht të nis hetimi i hyrjes në njësinë e përgjimeve nga Prokuroria e Shtetit

Grupi Parlamentar i AAK-së, ka reaguar pas ngritjes së dyshimeve se zyrtarë të lartë qeveritarë kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në njësinë e përgjimeve të Telekomit të Kosovës.

AAK konsideron se ky është një akt i pastër kriminal, prandaj ka kërkuar nisjen urgjente të hetimeve nga Prokuroria e Shtetit.

“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon urgjentisht nga Prokuroria e Shtetit që në kuadër të kompetencave të saj, të ndërmarrë veprime për të hetuar rastin e hyrjes së dyshimtë dhe të paautorizuar në njësinë e përgjimeve brenda Telekomit të Kosovës.

Ky veprim është një akt kriminal i pastër dhe i ulët kundër sistemit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Në fund thuhet se shteti duhet të mbrojë qytetarët nga këto aktivitete të orkestruara kriminale.

“Shteti i cili u ndërtua me mund, duhet ta dëshmojë që ka drejtësi dhe mbron qytetarët e Kosovës nga këto aktivitete kriminale të orkestruara.”