15:27 / E Shtunë, 24 Mars 2018 / indeksADMonline

Grupi popullor gjerman që po mahnitë publikun evropian me muzikë shqipe [Video/Foto]

Shumë studiues të huaj të cilët kanë bërë studime të ndryshme rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve kanë vlerësuar se pasuria më e madhe e tyre është muzika popullore.

Me gjithë ndikimet që ka pasur nga jashtë ajo në vetvete është unike, me tekstet dhe notat e mrekullueshme që ka. Shumë prej nesh kemi hasur në internet dhe rrjetet sociale video të ndryshme nga mbarë bota, ku grupe dhe këngëtarë të ndryshëm këndojnë muzikë shqiptare e njëri prej tyre është edhe grupi popullor Gjerman i njohur me emrin  “Fabula Aetatis”.

Me një stil krejt të veçantë si në paraqitje ashtu edhe me mënyrën e ekzekutimit, ata janë bërë të njohur jo vetëm në Gjermani por edhe nëpër vende të tjera të botës. Ky grup numëron më shumë se 800 paraqitje nëpër spektakle dhe festivale popullore në të gjithë Evropën, e ku nuk iu mungojnë edhe shumë çmime të ndryshme.

E veçanta e këtij grupi është se ata në repertorin e tyre ekzekutojnë edhe muzikë popullore shqiptare. Grupi “Fabula” ka krijuar një instrumental të mrekullueshëm me meloditë e këngëve të njohura popullore, si “Luti nana bijën” dhe “Gajdexhiu”. Këngë këto që janë pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku evropian.

Të veshur me veshje të bëra vetë me stil mesjetar, me gajde e daulle si instrumente kryesore me motive skoceze , ata argëtojnë publikun gjithandej nëpër botë. “Fabula Aetatis” krijojnë muzikë ritmike folklorike të sjella nga të katër anët e botës nëpër sheshe,rrugë, koncerte dhe festival  të ndryshme.

Indeksonline ka realizuar një intervistë me kryesuesin e këtij grupi z. Brian Haase, i cili na jep shumë detaje rreth grupit,  si dhe përshtypjet e tyre rreth muzikës  shqiptare.  Haase zbulon edhe të dhëna tjera interesante, ku na tregon se gjatë kësaj kohe ata po përgatisin edhe dy instrumentale tjera me melodi shqipe të këngëve, “Tumakuqe”  dhe  “Po vijnë krushqit maleve”, e këtë të fundit e ekzekutojnë për të parën herë ekskluzivisht për Indeksonline.

 z. Haase: në radhë të parë ju faleminderit për intervistën, e kujt ishte idea apo kush ua ka propozuar këngët “Luti Nana Bijën” dhe  “Gajdexhiu” ?

Faleminderit për interesimin tuaj për grupin tonë unë jam shume i kënaqur që muzika jonë përkatësisht version i këtyre dy këngëve shqiptare në Shqipëri është mirëpritur kaq mirë. Ne i dimë këto dy këngë qysh nga viti 1997,ne e kemi  një CD të grupit “Xenos”  i cili i ka incizuar këto dy këngë. Ne kemi mësuar se kënga “Gajdexhi”  është edh një valle e popullarizuar  dasmash dhe i këndohet  një gajdexhiu  i cili i bie gajdes nëpër dasma. Ne i luajmë këto melodi qe 20 vite të tëra dhe në vitin 1999 ne e kemi incizuar për herë të parë në CD-ne tonë të parë.
Si keni rënë në kontakt me muzikën folklorike shqiptare dhe cili është opinion i juaj për këtë muzikë?

Kohëve të fundit ne kemi hulumtuar për muzikën folklorike shqiptare por është vështirë të gjesh literaturë, para 3 javësh unë kam gjetur një libër të vjetër të  viteve 50-ta në një arkiv  “Albanian Folk Muzic vol 1”. Ky është një libër muzikor,shkencor dhe etnologjik nga ekspedita e etnomuzikologëve  Gjerman dhe Shqiptar e vitit 1957 ku një  grup studiuesish nga Tirana dhe Berlini kanë incizuar dhe shkruar  rreth 1000 këngë folklorike nga treva e Shqipërisë Jugore dhe kjo më ka impresionuar jashtëzakonisht shumë.

Arti, muzika dhe kultura ndikohen fuqishëm nga njerëzit e vendeve të ndryshme  dhe unë gjithmonë e vërej se megjithatë ato kanë  edhe të përbashkëta dhe ne pikërisht këtë mundohemi ta nxjerrim përmes muzikës sonë.

Sa është e vështirë për juve të ekzekutoni me instrumentet e juaja këngën apo melodinë shqipe dhe si është pritur kjo nga publiku?

Përkundrazi është nderë për neve t’i luajmë këto këngë,por ne gjithashtu dëshirojmë të dimë më shumë për njerëzit dhe vendin prej nga këto këngë kanë prejardhjen.
Ne kemi pasur një koncert në Dhjetor të vitit të kaluar dhe është pritur jashtëzakonisht mirë aty ishin edhe disa shqiptarë të cilët u entuziazmuan shumë dhe filluan të kërcenin  kur dëgjuan melodinë “Luti nana bijën” dhe “Gajdexhi”

A keni në plan të luani edhe ndonjë melodi tjetër shqiptare?
Ne pikërisht sot kemi bërë prova për një këngë tjetër shqiptare dhe po planifikojmë ta fusim në repertorin tonë këngën  “ Po vijnë krushqit maleve” ku e kemi kombinuar me një vallëzim të vjetër Grek. Një tjetër melodi që e kemi  gjetur dhe e cila luhet mirë me gajdet tona është kënga “Tumankuqe”

A keni planifikuar të performoni  në  Shqipëri apo Kosovë?

Natyrisht me shumë dëshirë do të performonim në këto vende ne kemi pasur disa  kërkesa për të marr pjesë  në dy festivale  të muzikës dhe kulturës në Tiranë, madje jemi ftuar të marrim pjesë edhe në një dasmë por fatkeqësisht ne s’kemi mundur të marrim pjesë sepse kemi qenë të zënë  në një turne mirëpo, shpresojmë se do të vijmë në të ardhmen./Indeksonline/  Jeton Sopa