11:40 / E Martë, 15 Nëntor 2022 / C E

Guardiola dëshmon në gjyqin ndaj Benjamin Mendyt, i akuzuar për shtatë përdhunime: Unë nuk jam babai i tij

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka dëshmuar në gjykatë në gjyqin që po zhvillohet kundër Benjamin Mendy, i akuzuar për abuzim seksual.

Ish-lojtari i Manchester Cityt akuzohet për shtatë përdhunime, një sulm seksual dhe një tentativë përdhunimi, shkruan Indeksonline.

Përsa i përket personalitetit të Benjamin Mendy, trajneri spanjoll i tha jurisë se “ai është një djalë shumë i mirë. Atij i pëlqen të argëtohet dhe t’i bëjë njerëzit të argëtohen. Është e vështirë të gjesh dikë në dhomën e zhveshjes që flet keq për të”.

Kur avokati tha se Mendy “ka shijuar jetën”, përgjigja e Guardiolës ishte e prerë: “Po, unë i kontrolloj lojtarët e mi në stërvitje. Nuk i ndjek lojtarët në rrjetet sociale dhe nuk e di se çfarë bëjnë në jetën e tyre private. Unë nuk jam babai juaj.”

Guardiola e bëri të qartë se ai nuk ishte “i lumtur” kur mësoi për festat e paligjshme që Mendy organizoi në rezidencën e tij në Cheshire gjatë izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Dënimi me të cilin mund të përballet Benjamin Mendy mund të variojë nga 5 deri në 20 vjet burg, megjithëse ai mund të përballet me një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm.

Në maj 2022 Mendy u deklarua i pafajshëm për nëntë akuzat e atëhershme për krime seksuale kundër tij. /IndeksOnline/