Hakmarrje kundër marrëdhënies së Vuçiq me Putinin? Franca pezullon shitjen e avionëve luftarakë Rafale në Serbi
Duket se Franca i ka vënë kushte Serbisë për blerjen e aeroplanëve luftarakë. Ky vendim vjen pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç foli për një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Francës që që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale.
Rrjeti televiziv francez, BFM TV, duke cituar agjencinë AFP thotë se Dassault Aviation, prodhuesi francez i këtyre avionëve aktualisht po refuzon të diskutojë për një shitje të mundshme të avionëve në Serbi. Franca synon të marrë konfirmime mbi zhvillimet politike në Serbi përpara se të vulosë blerjen. Thuhet se Serbia po rrit blerjen e armëve, qofshin ato europiane, kineze apo ruse dhe se në dhjetë vjet, buxheti ushtarak serb është trefishuar
Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak serb u trefishua, duke arritur në 1.4 miliardë euro.
Mes 2014 dhe 2023, Serbia shpenzoi 2.67 miliardë euro për blerjet e armëve – veçanërisht për të blerë sistemin kinez kundërajror FK-3, helikopterët rusë Mi-17 dhe Mi-35, si dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore, Pantsir. Afërsia e kreut të shtetit serb me homologun e tij rus Vladimir Putin përbën një problem për Parisin. Ndërsa Serbia e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk është rreshtuar me sanksionet perëndimore. Franca prej disa kohësh është angazhuar për ta intensifikuar bashkëpunimin e saj në mbrojtje me Serbinë. Një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin e mbrojtjes ekziston që nga viti 2011 dhe u ringjall nga viti 2019. Një bashkëpunim që nuk është për shijen e të gjithëve.
Ndër kushtet e kërkuara, presidenti francez përmendi edhe nevojën për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet me Kosovën. Shtatë vende kanë avionë Rafale ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë ato: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia. /Balkanweb