12:19 / E Diele, 18 Shtator 2022 / LB

Halimi e LDK-së: Paaftësia e Qeverisë shihet edhe në kulturë, artistët s’meritojnë këtë përçmim

Sibel Halimi, zëdhënëse e Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka folur për menaxhimin e Qverisë Kurti me sektorin e kulturës.

Ajo ka theksuar se paaftësia qeverisëse shihet edhe në mënyrën se si Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti menaxhon me kulturën.

Halimi thotë se mendësia kapëse është sinonim i kësaj qeverie, duke përmendur “spastrimet e shkarkimet kolektive”.

“Duke u cytur nga mentaliteti i spastrimeve e shkarkimeve kolektive – të paanalizuara për pasojat, shumë institucione kulturore në vend kanë mbetur pa drejtor apo edhe pa këshillet drejtuese përkatëse. Duke nisur nga Teatri Kombëtar i Kosovës që është pa Drejtor artistik, më pas për të përfshirë Qendrën Kinematografike, Galerinë Kombëtare, e deri te Ansambli ‘Shota’, të gjitha këto institucione qenësore të artit dhe kulturës, janë pa drejtor, gjegjësisht me u.d. drejtor, me këshille drejtuese gjysmake apo pa to fare.”, tha ajo.

Ajo ka theksuar edhe mungesën e konkursit për Qendrën Kinematografike të Koosvës.

“Madje, për Qendrën Kinematografike të Kosovës, tash e 10 muaj as nuk është hapur ndonjë konkurs për plotësimin e pozitës së drejtorit. Për të mos u ndalur me kaq, artistëve të Baletit Kombëtar dhe atyre të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në emër te renovimit, i kanë larguar nga hapësirat e punës, pa asnjë plan alternativ e pa një ide se ku do të ushtrojnë tani e tutje veprimtarinë e tyre të çmueshme.”, vazhdoi ajo.

“Kultura e Kosovës, artistët tanë, nuk e meritojnë këtë përçmim e nëpërkëmbje!”, përfundoi ajo.