21:37 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Hamilton pas shokut të skuadrës, nesër premton spektakël

Te Mercedes festojnë rezultatin e arritur në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Rusisë, pasi të dy pilotët e saj u renditën në vijën e parë të startit, me Bottas që befasoi të gjithë, duke qenë më i shpejti dhe la pas me 4 të mijëtat shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton.

Ky i fundit ka pranuar se në xhiron vendimtare ka gabuar dhe humbi “pole”.

“Në përpjekje për të dhënë maksimumin bëra një gabim dhe humba ato të dhjetat e mjaftueshme për të arritur “pole”. Por skuadra bëri një punë të jashtëzakonshme dhe makina funksionon mrekullueshëm këtu. Dy vendet e para tregojnë se jemi më të shpejtët. Megjithatë, të dielën është gara dhe aty duhet të tregojmë se jemi kampionë, për të mbrojtur pozicionet në start”, tha Hamilton.

Piloti britanik pranon se për të është një gjë e mirë që i pari është Bottas dhe jo Vettel, pasi me shokun e skuadrës në krah mund të menaxhojnë më mirë avantazhin.

“Kjo është një pistë ku është e vështirë të parakalosh, ndaj do të bëjmë një lojë skuadre për të mbërritur në finish me të dy pilotët në dy vendet e para”, u shpreh Hamilton.