17:54 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Hapet thirrja për pranimin e punimeve shkencore në Konferencën Ndërkombëtare Studentore

Edicioni i tretë me radhë i Konferencës Ndërkombëtare Studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UPISC) ka hapur thirrjen për pranimin e punimeve shkencore.

UPISC në edicionin e fundit solli studentë nga jo më pak se 35 shtete të botës në kryeqytetin e Kosovës, duke u bërë kështu njëra ndër konferencat ndërkombëtare më të suksesshme, organizuar nga studentët e UPHP-së.

E para e llojit të tillë në historinë e UPHP-së u la përshtypje të mira edhe pjesëmarrësve të vitit të kaluar, të cilët e vlerësuan si “mirë të organizuar, profesionale, informuese dhe shumë zbavitëse”.Tema bosht e këtij edicioni do të jetë: Edukimi në Ndërmarrësi në shekullin e 21-të (ang. Entrepreneurship Education in the 21st Century).

Punimet e Konferencës do të publikohen në librin e saj, i cili përmban kodin ISBN. Po ashtu, Konferenca ka Këshillin Shkencor në të cilin bëjnë pjesë profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë kontribuuesit kryesorë në cilësinë e lartë shkencore të UPISC-it.

Afati i fundit për aplikim është data 15 prill 2018. Për tu informuar më shumë rreth këtij organizimi, vizitojeni uebfaqen zyrtare: www.upisc.net