17:13 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Autorët e grafiteve fyese kundër serbëve, të sillen para drejtësisë (Foto)

Grafitet fyese që u panë sot në një shkollë në Uglar të Fushë-Kosovës, kanë nxitur edhe reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ky i fundit i ka quajtur ato “grafite që nxisin urrejtje ndëretnike”, duke i cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e shtetit që po ndërtohet, përcjellë Indeksonline.

Haradinaj ka kërkuar nga organet e drejtësisë hetimin e rastit dhe sjelljen e autorëve përpara drejtësisë.

“E dënoj shkrimin e grafiteve që nxisin urrejtje ndër etnike dhe i cilësoj ato të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e shtetit që po ndërtojmë – demokratik, gjithëpërfshirës dhe tolerant. Kërkoj nga organet e drejtësisë që të hetojnë rastin e shkrimit të grafiteve me përmbajtje urrejtëse dhe t’i sjellin autorët e tyre përpara drejtësisë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkohë, lidhur me grafitet kishte reaguar gjatë ditës edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.

““Nuk mund të lejojmë që Kosova dhe Metohjia të bëhen zona e jostabiliteti, pas shumë vitesh negociata dhe stabilizimi të sigurisë. I paralajmëroj ata që duan destabilizim në krahinën tonë që të mendojnë mirë për pasojat”, është shprehur ai./Indeksonline/