09:55 / E Premte, 26 Prill 2019

Haradinaj: Do të flasim me Thaçin para takimit të Berlinit, por s’ndryshoj qëndrim për taksën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë.

Ai ka thënë se samiti i Berlinit i ftuar nga kanceralja Merkel dhe Marcron është takim multilateral e jo bilateral, raporton Indeksonline.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se para se të shkojnë në takim, do të diskutojnë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Qëndrimet janë të Kosovës dhe unë kam shpresë se nuk do të kemi shpërputhje me presidentin, por nuk ka ndryshim në qëndrimet e qeverisë për taksën. Do të kemi kohën me bisedu me presidentin para ngjarjeve dhe do të harmonizohemi por unë skam qëndrim tjera pos atyre qe i kemi paraqit”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur si i vlerëson deklaratat e ambasadorin amerikan, Philip Kosnett për pjesëmarrje të qytetarëve në protestën e sotme të Vetëvendosjes kundër kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, Haradinaj ka thënë se kjo është e drejtë e secilit.

“Qëndrimet e ambasadorit të Amerikës dhe të tjerëve që Kosova të ballafaqohet me të metat e saj, ne kemi vetëdije të plotë, protestat janë e drejtë e jona, është në rregull kur reagimet janë të partive politike në këtë rast, protesta nuk është vetëm dalja në rrugë, ka plot mënyra si të protestohet kundër një fenomeni të caktuar. Shyqyr që kemi liri, është rrezik kur një parti proteston kundër një prokurori, e kjo mund të shihet si ndërhyrje në gjyqësorin. Çdo herë ka një parti që nuk pajtohet me një zyrtar, me një prokuror”, ka thënë tutje Haradinaj.

AI ka përmendur edhe thirrjen që dje i bëri Vetëvendosjes për protestën e sotme.

“Unë i kam bërë thirrje dje VV që të shterojnë të gjitha instrumentet tjera për paraqitjen e shqetësimeve të tyre, për çdo veprim të dëmshëm që ndodh në gjyqësor, legjislativ etj. por para se të kalohet në protestë, ka edhe forma tjera, ka diskutime në parlament, ekspert etj. Derisa para prokurorisë është presion ndaj prokurorisë, e sot po e bën VV, nesër mund ta bëj dikush tjetër . Vetëm para 10 muajsh Kosova është sovrane në gjyqësor, rend e ligj, e sovrani nisi kur përfundoi mandati i EULEX-it. Që nga paslufta e kemi pas drejtësinë të ndarë, që 20 vite e kanë pas mbikëqyrjen mbi sistemin e gjyqësisë në Kosovë. Kosova ka përvojë vetëm 10 muaj në gjyqësor, e janë 10 muaj të institucioneve të vendit, e edhe Qeverisë, u janë rrit pagat prokurorëve e gjyqësorëve, janë rrit vendet e punës, ka ndërmarr ligje të rëndësishme për vendin. Kjo është dëshmi që Kosova dhe institucionet e saj po shkojnë nga forcimi i gjyqësorit”, ka theksuar Haradinaj. /Indeksonline/