10:38 / E Enjte, 19 Shtator 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Do të investojmë në mbrojtjen e atdheut, ia kemi borxh Kosovës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, për çdo ditë po shpalosë pjesë të programit e zotime të tij për mandatin e ri në Qeveri, nëse arrin ta fitojë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Haradinaj ka thënë se askush nga politika nuk do të ketë të drejtë ta fyej apo sulmojë ushtarin, policin, prokurorin e gjyqtarit në funksionet e tyre.

“Askush nga politika nuk ka të drejt të fyej apo sulmojë ushtarin aktiv, policin në detyrë, porkurorin dhe gjyqtarin në funksionet e tyre. Mbështetja ndaj tyre është obligim moral, ligjor e kombëtar i secilit prej nesh”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka thënë se deri në 2% e Brutoproduktit vendor do të destinohet për mbrojtjen e atdheut.

“Deri në 2 % të BPV-ja për mbrojtje të atdheut, +2000 policë shtesë për sigurinë në rrugë e lagjet tona, +100 prokurorë në betejën kundër krimit, +100 gjyqtarë shtesë në ndarjen e drejtësisë dhe zgjidhjen e lëndëve të panumërta që presin në radhë”, ka thënë ai tutje nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ky është zotimi im, thekson Haradinaj.

“Ja kemi borxh Kosovës, t’i mbështesim ata që ruajnë dhe mbrojnë qytetarin e shtetin”, thuhet në fund.