Haradinaj flet për deklaratën e Vuçiqit për ushtrinë, vizitën e Prokurorit Special dhe seancën e nesërme
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është deklaruar pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës.
Ndër të tjerash, Haradinaj ka folur edhe për deklaratën e presidentit serb, Aleksadnar Vuçiq i cili tha sot se e di që Ushtria e Kosovës do të bëhet me 28 nëntor.
Sipas Haradinajt bërja e ushtrisë nuk është e lidhur me një datë.
“Nuk është e lidhur me një datë, e çmojmë shumë 28 nëntorin, pra është nëntori i shqiptarëve por nuk ndërlidhet kjo me atë proces. Nuk ka një orar të tillë, mund të jetë afër datës por nuk është e lidhur me një datë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tutje ka folur edhe për seancën e nesërme të thirrur nga opozita, ku do të flitet për dialogun dhe mundësinë e ‘korgjimit apo ndryshimit të kufijve’.
Kryeministri Hardinaj ka thënë se beson që nesër do të gjejnë një gjuhë të përbashkët edhe pozita edhe opozita pasi sipas tij nuk besohet që ka ndonjë subjekt politik në Parlament që është kundër ruajtjes së kufijve.
“Besoj se nesër do të gjejmë një gjuhë të përbashkët, nuk besoj se ka subjekt politik në Parlament që është kundër ruajtjes së kufijve dhe shpresoj që nesër do të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Është inkurajuese që në seancën e nesërme të thirrur nga opozita do të marrë pjesë edhe pozita.
Nuk është mirë që askush të japë opinione irrituese, duhet ta ruajmë një unitet të mirë si në krijimin e ushtrisë, pra duhet të ruajmë interesat nacionale. Nuk duhet të jetë gjithçka për pushtet.
Kjo vizita e z.Palmer nga Amerika dhe shumë takime që kanë ndodhur kanë pas një reflektim pozitiv të spektrit politik dhe mendoj se është mirë të kuruzohet ajo vizitë për procese të rëndësishme të vendit tonë, në një proces të qartë strategjik të vendit, të territorit të kufijve.
Dhe s’ka lidhje se kush më shumë ka shti në atë rezolutë me rëndësi është se a i ruajmë interesat nacionale mendoj se edhe AKK, NISMA edhe PDK edhe të gjithë nuk e kanë problem me e ruajt territorin.
Besoj se është mirë se si kemi dit të bashkohemi për pozicionin e FSK-së dhe dhënien e mandatit në ushtri mendoj se i njëjti karakter është edhe me rujt territorin, kufijtë. Pastaj ka tjera inate që i vazhdojmë, si në pluralizëm e në demokracie pra vazhdojmë”, ka thënë shtuar Haradinaj, transmeton Indeksonline.
Haradinaj ka thënë se beson që bashkë me Aleancën do të jenë edhe partitë tjera të pozitës në seancën e nesërme.
Në pyetjen se do të ketë takim sot me Prokurorin e Specializuar Xhek Smith i cili viziton Kosovën, Hardinaj është përgjigjur se nuk ka asnjë agjendë me kryeprokurorin.
“Me kryeprokurorin nuk kam agjendë, vërtetë kemi obligime si Kosovë ndaj Dhomave të Posaçme por edhe një lloj skepticizmi në këto procese ekziston, në procese pra që kanë shku”, ka shtuar Haradinaj./Indeksonline/