09:53 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: FSK nuk do të zëvendësoj as KFOR-in as NATO-n, jemi të gatshëm të shërbejmë kudo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marr pjesë në konferencën e 9-të “ ‘FSK dhe Partnerët’ të organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Haradinaj ka thënë se FSK nuk do të zëvendësoj as KFOR-in e as NATO-n, por se mirëpret një bashkëpunim me këto dyja, raporton Indeksonline.

Ai ka theksuar se Kosovën e pret një proces i gjatë dhe i vështirë deri në tranzicion të FSK-së në ushtri.

Më poshtë një pjesë e fjalimit të Haradinajt:

Pozicioni i FSK-së është demokratik dhe është një proces gradual, ky tranzicion do të kontribuoj në sigurinë rajonale dhe globale, do të dëshmojë pjekurinë e gatishmërinë tonë për të marr përgjegjësi më shumë së bashku.

Nuk ka dyshim se tranzicioni do të siguroj shumëetni dhe profesionalizëm, e shumëetnia kërcënohet nga dhuna që është e papranueshme.

Është e papranueshme të kërcënohen njerëzit e pafajshëm, e familjet e pjesëtarëve të një organizate apo institucioni në shtetin tonë.

Disa qëndrime janë të rëndësishme të dëgjohen edhe një herë. FSK nuk do të zëvendësoj KFOR-in, e KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë, FSK nuk do ta zëvendësoj as NATO-n, prania e NATO-s është gjithmonë e mirëseardhur në shtetin tonë dhe ne dëshirojmë t’i bashkangjitemi kësaj organizate, dëshirojmë të shërbejmë me ju.

FSK me tranzicion do të jetë e gatshme të shërbej me forcat e juaja kudo në botë. Kurdo që ju thoni, ne jemi të gatshëm të shërbejmë, Kosova është e gatshme.

Duke parë këtë gatishmëri të Kosovës, mund të konfirmoj që mbështetja juaj për profesionalizmin, e praktikat e mirë të forcës janë të vlefshme dhe një investim i vlefshëm që keni bërë për Kosovën.

Ne jemi të gatshëm të bëhemi anëtar të INTERPOL-it por edhe NATO-s.

Është një rrugë e gjatë përpara sepse tranizicioni është proces i gjatë, por kërkoj nga secili shtet i NATO të shfrytëzoj këtë rast dhe të ftoj Kosovën në ekipet tuaja. /Indeksonline/

 

 

 

Temat: