10:43 / E Mërkurë, 08 Maj 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Kemi mbështetjen e BE-së që sa më parë të ndodh liberalizimi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një takim pune që ka zhvilluar sot me shefat e misioneve të shteteve të BE-së dhe vet shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e vendit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Kosova është e interesuar të arrij një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që rezulton me njohje, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, sinjal për këtë është mbështetja që lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës të ndodh sa më shpejt.

Më poshtë postimi i Haradinajt:

Në takim pune me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së dhe shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, diskutuam për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në rrugën evropiane.

 Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët.

Qeveria është angazhuar plotësisht në përmbushjen e agjendës evropiane, duke ndërmarr me këmbëngulje reforma të gjithanshme, sidomos për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Për të ecur përpara dhe që të sigurohet paqja afatgjatë dhe e ardhmja evropiane për të dy shtetet, jemi të interesuar të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke.

Një sinjal i qartë nga BE, se respektohen arritjet tona dhe se kemi mbështetjen e saj në mënyrë aktive është realizimi në kohë optimale e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. /Indeksonline/